Kina unifikon katalogun e barnave të mbuluara nga sigurimet mjekësore
2024-04-13 11:31:29

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Kina ka unifikuar katalogun e barnave të mbuluara nga sigurimet shëndetësore në të gjithë vendin, për të siguruar që të gjitha barnat në katalog të vendosen nën një politikë të unifikuar menaxhimi dhe pagese.

Kjo masë udhëhiqet jo vetëm nga drejtësia, por gjithashtu synon të thjeshtojë procesin e shlyerjes së shpenzimeve mjekësore aty ku ato kryhen, deklaroi në një konferencë për shtyp Huang Xinyu, zyrtar i Administratës Kombëtare të Sigurisë së Kujdesit Shëndetësor, shkruan “Xinhua”.

Sipas tij, që nga fillimi i saj në vitin 2018, Administrata Kombëtare e Sigurisë së Kujdesit Shëndetësor ka bërë vazhdimisht rregullime dinamike në katalogun e barnave të mbuluara nga sigurimet shëndetësore, duke përfshirë shtimin e mbi 700 ilaçeve të reja në listë.

Deri më sot, katalogu ka përfshirë rreth 3900 lloje ilaçesh, që mbulojnë mjekësinë perëndimore dhe mjekësinë tradicionale kineze, duke përbërë mbi 90 për qind të shpenzimeve totale për blerjet e ilaçeve në spitalet publike, sipas Huang.

Ai tha se administrata po punon gjithashtu për t'i bërë ilaçet më të përballueshme përmes mjeteve të shumta, duke përfshirë negocimin.

Gjatë dy muajve të parë të vitit, fondet e sigurimeve mjekësore kishin paguar mbi 15 miliardë juanë (rreth 2.11 miliardë dollarë amerikanë) për 397 lloje barnash të mbuluara nga marrëveshjet e çmimeve, duke përfituar rreth 39.5 milionë njerëz. (Irma)