CMG-ja: ShBA-ja, Japonia dhe Filipinet sjellin paqëndrueshmëri në Detin e Kinës Jugore
2024-04-13 13:39:08

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Të enjten, udhëheqësit e ShBA-së, Japonisë dhe Filipineve zhvilluan një samit trepalësh në Uashington. Në deklaratën e bërë pas samitit thuhet se tre vendet do të forcojnë bashkëpunimin mbrojtës për të nxitur “sigurinë dhe lulëzimin e rajonit të Indo-Paqësorit dhe të botës”, duke akuzuar Kinën se “po ndryshon me forcë gjendjen e tanishme në mënyrë të njëanshme”.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se ShBA-ja dhe Japonia do të vazhdojnë të përkrahin organizimin e policisë bregdetare filipinase. Ndërkohë, ShBA-ja, Japonia dhe Filipinet premtojnë të krijojnë sistemin e dialogut trepalësh për çështjen detare dhe forcat mbrojtëse e detare të këtyre vendeve pritet të zhvillojnë një manovër të përbashkët ushtarake në zonën detare afër Japonisë gjatë vitit 2025. 

Analistët vënë në dukje se problemi i Detit të Kinës Jugore është bërë një pretekst i ShBA-së për ndërhyrje në çështjet e Azi-Paqësorit, sepse nëse ky rajon është i qetë, do të vihej në diskutim edhe përpjekja për hegjemoni e ShBA-së aty.

Ishujt e kësaj hapësire detare janë territor i natyrshëm i Kinës, sovraniteti territorial dhe të drejtat e interesat detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore kanë bazë të plotë historike e ligjore. Vitet e fundit, Kina ka pasur gjithmonë kontakte me palën filipinase për marrjen nën kontroll të situatës në Kumën “Ren’ai Jiao”. Dy palët arritën mirëkuptimin, duke ruajtur qëndrueshmërinë e situatës në “Ren’ai Jiao”. Por pas ardhjes në fuqi, qeveria e re filipinase hoqi dorë nga mirëkuptimi i arritur, duke përkeqësuar situatën. Në këto kushte pala kineze u detyrua të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin si dhe të drejtat dhe interesat e saj detare.

Kina punon gjithmonë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për sovranitet territorial përmes bisedimeve paqësore, por kjo nuk do të thotë se Kina do t’i dorëzohet veprimeve të paligjshme të palëve përkatëse. Deklarata trepalëshe e ShBA-së, Japonisë dhe Filipineve nuk do të sjellë “siguri e lulëzim rajonal”, por vetëm “përballje dhe kërcënim”. (Fani)