Kina, ShBA dhe BE arrijnë konsensus për bashkëpunimin në sigurinë e produkteve të konsumit
2024-04-12 13:16:49

Kina, ShBA dhe BE arritën një konsensus të ri të mërkurën, për përmirësimin e bashkëpunimit në sigurinë e produkteve të konsumatorit, deklaroi Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës.

Foto: Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës

Në Samitin e tetë Trepalësh Kinë-ShBA-BE për Sigurinë e Produkteve të Konsumit në Hangzhou të provincës Zhejiang të Kinës Lindore, palët ranë dakord të krijojnë standarde të përbashkëta, të përmirësojnë mbikëqyrjen, të fokusohen në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të konsumatorëve, dhe të mbrojnë sigurinë e përgjithshme të produkteve të konsumit.

Takimi u bashkëorganizua nga Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës, Komiteti i Sigurisë së Produkteve të Konsumatorit të SHBA dhe Drejtoria e Përgjithshme e Konsumatorëve e Komisionit Evropian.

Siç mësohet, në kuadër të konsensusit të ri për krijimin e standardeve ndërkombëtare, përpjekjet për rregullore dhe rritjen e shkëmbimit të informacionit për rreziqet, do të ndërmerren veprime të përbashkëta për të shfrytëzuar kornizat ekzistuese të bashkëpunimit, për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve.

Me një qeverisje të koordinuar, të tre palët do të përmirësojnë bashkëpunimin e projekteve, shkëmbimet, seminaret dhe trajnimet profesionale, dhe do të forcojnë bashkëpunimin e konsultimet teknike, brenda kornizës së shkëmbimeve të vazhdueshme të nivelit të lartë.

Korniza e bashkëpunimit trepalësh që filloi 16 vjet më parë, ka arritur rezultate të dukshme. Vitin e kaluar, tregtia e produkteve të konsumatorit e Kinës me SHBA dhe Europën shënoi përkatësisht 1.8 trilion juanë (mbi 250 miliardë dollarë amerikanë) dhe 1.79 trilion juanë. (Zhang Yan/Elona)