Kina do të rrisë mbështetjen financiare për zhvillimin e gjelbër
2024-04-12 11:29:12

Autoritetet kineze kanë nxjerrë udhëzime për të forcuar mbështetjen financiare për zhvillimin e gjelbër dhe me karbon të ulët. Sipas dokumentit, të publikuar bashkërisht nga disa departamente qeveritare, përfshirë Bankën Popullore të Kinës (PBOC), vendi në thelb do të ndërtojë një sistem financiar lider në botë për zhvillimin e gjelbër në pesë vitet e ardhshme dhe do t'i bëjë politikat më të koordinuara, efektive dhe të pjekura nga viti 2035, me shpërndarje më të mirë të burimeve, menaxhim të rrezikut dhe çmime të tregut, shkruan “Xinhua”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina do të formulojë dhe prezantojë standarde të unifikuara mbi emetimin e karbonit për institucionet financiare dhe do të promovojë institucionet dhe subjektet financuese për të bërë zbulimin e informacionit mjedisor. Po ashtu, do të bëhen përpjekje për të zgjeruar gradualisht fushëveprimin e subjekteve tregtare të përshtatshme për zhvillimin e tregut të karbonit të Kinës, për të rritur mbështetjen e kredisë për zhvillimin e gjelbër dhe transformimin me karbon të ulët në energji, industri, transport, ndërtim dhe fusha të tjera, si dhe për të mbështetur ndërmarrjet e përcaktuara brenda dhe jashtë vendit për financim ose rifinancim.

Udhëzimet parashtrojnë gjithashtu masa për të përmirësuar ligjet dhe rregulloret, për të përmirësuar mekanizmat e vlerësimit të financave të gjelbra, për të pasuruar mjetet përkatëse të politikës monetare dhe për të thelluar reformën rajonale të financave të gjelbra.

Banka Popullore e Kinës bëri të ditur se do të punohet për të përfshirë rreziqet e lidhura me ndryshimet klimaterike dhe për të inkurajuar institucionet financiare që të përmirësojnë sistemet e tyre të kontrollit të rrezikut dhe kornizat e qeverisjes së korporatave. (Irma)