Kina u kërkon Filipineve të kthehen në rrugën e duhur të dialogut për çështjen Ren'ai Jiao
2024-04-12 11:16:47

Foto nga VCG

Ambasada kineze në Filipine i kërkoi të enjten palës filipinase, që të respektojë angazhimet e saj, të vlerësojë konsensusin dhe të kthehet sa më shpejt në rrugën e duhur të menaxhimit të drejtë të situatës së Ren'ai Jiao, përmes dialogut dhe konsultimit. 

Sipas raportimeve, Presidenti i Filipineve Ferdinand Romualdez Marcos, tha të mërkurën gjatë një interviste, se s'ishte në dijeni të ndonjë "marrëveshje zotërinjsh" në lidhje me çështjen Ren'ai Jiao midis Kinës dhe Filipineve, duke shtuar se ishte "i tmerruar" nga ideja se Filipinet kanë komprometuar me një marrëveshje të fshehtë, territorin, sovranitetin dhe të drejtat e tyre.

Në përgjigje, një Zëdhënës i Ambasadës tha se Kina beson gjithmonë që mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore përmes negociatave. 

"Përpara se të zgjidhen mosmarrëveshjet territoriale, dallimet duhet të menaxhohen siç duhet, përmes dialogut dhe konsultimit, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin", tha Zëdhënësi. 

Zëdhënësi vuri në dukje se Kina ka eksploruar, me administratat e mëparshme dhe qeverinë aktuale të Filipineve, mënyrën pragmatike për të menaxhuar efektivisht situatën e Ren'ai Jiao, pa paragjykuar pozicionin parimor të secilit vend për mosmarrëveshjen.

 "Falë mirëkuptimeve dhe marrëveshjeve të arritura nga të dyja palët, paqja dhe stabiliteti në Ren'ai Jiao u ruajt vitet e fundit," tha Zëdhënësi, duke shtuar se situata rreth Ren'ai Jiao u bë e vështirë dhe pati incidente, sepse mirëkuptimet dhe marrëveshjet nuk respektoheshin më. (Elona)