Pianisti kinez Lang Lang nderohet me yll në Bulevardin e Famës në Hollivud
2024-04-12 10:55:56

Foto nga VCG

Pianisti kinez Lang Lang u nderua me yll në Bulevardin e Famës në Hollivud, në kategorinë e performancës “live”. Lang është pianisti i parë aziatik që ka marrë një yll në trotuarin ikonë, shkruan “Xinhua”.

“Pianisti i njohur ndërkombëtarisht Lang Lang ka shitur miliona albume në mbarë botën, duke kryesuar listat klasike dhe duke arritur sukses të jashtëzakonshëm”,- deklaroi Steve Nissen, president dhe drejtor ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë së Hollivudit.

“Një nga muzikantët klasikë më me ndikim në të gjithë botën, Lang Lang ka mbi 20 milionë ndjekës të mediave sociale. Gjithçka që bën pianisti mbështetet nga besimi i tij se muzika e bën jetën më të mirë, ajo shëron, bashkon dhe frymëzon dhe na bën njerëz më të mirë,”,- tha Nissen.

“Dhoma e Tregtisë e Hollivudit është krenare që njeh kontributet e jashtëzakonshme të Lang Lang në botën e muzikës klasike dhe feston talentin e tij të jashtëzakonshëm me një yll në Bulevardin e Famës”,- deklaroi Ana Martinez, producentja e Bulevardit të Famës në Hollivud.

Lang kujtoi edukimin e tij dhe kujtimet në Los Anxhelos, duke thënë se muzika është baza e përbashkët për njerëzit me prejardhje të ndryshme kulturore. “Muzika është një pjesë e rëndësishme e shkëmbimeve kulturore midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”,- tha pianisti për “Xinhua”.

Ai shpreson që më shumë muzikantë dhe artistë nga Kina mund të shërbejnë si ura kulturore në të ardhmen dhe të sjellin elegancën e kulturës kineze tek audienca perëndimore.

“Bota komunikon përmes muzikës”, tha Lang, duke shtuar se shpreson të frymëzojë sa më shumë njerëz që të mësojnë një instrument muzikor. (Irma)