Autobusët elektrikë të prodhuar nga Kina do të operojnë në Greqi
2024-04-12 11:01:54

Foto nga VCG

Banorët dhe vizitorët në kryeqytetin grek, Athinë, dhe qytetin port verior të Selanikut së shpejti do të jenë në gjendje të hipin në autobusët elektrikë të prodhuar nga kompania kineze “Yutong”, tha një zyrtar grek për “Xinhua”.

Testi provë i autobusëve elektrikë, 36 në Athinë dhe 6 në Selanik, filloi javën e kaluar, me një prezantim të plotë që pritet në maj.

Gjatë një udhëtimi nëpër qendrën e Athinës, Stefanos Agiasoglou, drejtori ekzekutiv i “Road Transit S.A. (OSY)”, tha se ekipi i tij ishte i kënaqur me rezultatet e deritanishme.

Ai tha se autobusët modernë do të ndryshojnë transportin në Athinë.

Gjithsej 250 autobusë priten të dalin në rrugët e Athinës dhe Selanikut në javët e ardhshme pas rezultateve përfundimtare. Gjatë fazës së provës, autobusët duhet të funksionojnë pa pasagjerë për 18 orë në ditë derisa të përfundojnë 5000 km në kushte normale trafiku.

Testet në javën e parë treguan se autobusët mund të përshkojnë 220-250 km me një karikim të vetëm baterie, duke tejkaluar kërkesat minimale prej 180 km të përcaktuara në tender, tha Agiasoglou.

Sipas tij, autobusët e rinj nuk janë vetëm të gjelbër dhe miqësorë me mjedisin, por gjithashtu ofrojnë një përvojë komode dhe të teknologjisë së lartë të pasagjerëve.

Shtimi i automjeteve të “Yutong” në flotën e “OSY”-së përfaqëson një hap të madh drejt rinovimit dhe përmirësimit të transportit rrugor publik urban në Greqi, sipas Agiasoglou.

Rreth 1400 autobusë funksionojnë në kryeqytetin grek, mosha mesatare e të cilëve është 19 vjeç, ndërsa 39 për qind e tyre nuk janë të aksesueshëm për pasagjerët me aftësi të kufizuara, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

Zyrtarët grekë synojnë të zëvendësojnë 1300 autobusë të flotës deri në vitin 2027, sipas planit të qeverisë për lëvizshmëri të qëndrueshme urbane.

Deri në vitin 2026, pas shpërndarjes së plotë të autobusëve elektrikë të “Yutong”, flotës pritet gjithashtu t'i bashkohen rreth 300 autobusë me gaz natyror të kompresuar, theksuan zyrtarët grekë. (Irma)