Kina do të ndërtojë zona pilot për reformën e arsimit për nevoja të veçanta
2024-04-10 16:18:10

CFP

CFP

Kina do të ndërtojë një grup zonash pilot në të gjithë vendin me qëllim reformimin e sektorit të arsimit për nevoja të veçanta, si dhe zhvillimin e sektorit në një mënyrë më efektive për të realizuar zhvillim me cilësi të lartë.

Sipas një qarkoreje të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit, programi i reformës do të eksplorojë mënyrat e ndërtimit të një sistemi të koordinuar dhe koheziv të arsimit që mbulon të gjitha fazat e shkollimit, bën të ditur “Xinhua”.

Reforma do të rrisë gjithashtu garancinë financiare për një arsim të tillë me politika të përmirësuara të shpërndarjes fiskale dhe ndihmës, thuhet në dokument.

Gjithashtu, zonat pilot pritet të ofrojnë arsim bazë falas për të gjithë nxënësit me aftësi të kufizuara, si dhe do të përmirësohet stafi dhe trajtimi i mësuesve përkatës, thuhet në qarkore.

CFP

CFP

Gjithashtu, qarkorja vë në dukje se reforma do të zgjerojë shërbimin e arsimit për të mbuluar më shumë studentë, me fokus ndërtimin e shkollave speciale për fëmijët autikë. Hulumtimet dhe programet përkatëse pilot do të kryhen në lidhje me edukimin e fëmijëve me autizëm, me aftësi të kufizuara të shumëfishta ose me çrregullime të të nxënit.

Do të bëhen gjithashtu përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsimit përkatës dhe për të forcuar ndërtimin e burimeve digjitale në këtë drejtim.

Autoritetet arsimore në nivel qarku ose qyteti janë të mirëpritur të aplikojnë për t'u bashkuar me programin. (Elona)