Kryeministri i Kinës Li Qiang takohet me Sekretaren e Thesarit të ShBA-së, Janet Yellen
2024-04-07 19:01:03

Kryeministri i Kinës, Li Qiang, u takua mëngjesin e së dielës në Pekin me Sekretaren e Thesarit të ShBA-së, Janet Yellen.

Li tha se, nën drejtimin strategjik të udhëheqësve të dy shteteve, marrëdhëniet Kinë-ShBA aktualisht janë duke u stabilizuar. Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi një bisedë telefonike me homologun amerikan Joe Biden jo shumë kohë më parë, ku të dy palët ranë dakord të forcojnë dialogun, të menaxhojnë dallimet, të promovojnë bashkëpunimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Pala kineze shpreson që dy vendet të mund të jenë partnerë e jo kundërshtarë, me respekt të ndërsjellë, bashkëjetesë paqësore dhe bashkëpunim të fovorshëm. Kina shpreson që pala amerikane të ecë më shumë në të njëjtin rrugë me palën kineze, të vazhdojë të zbatojë konsensusin e rëndësishëm të arritur nga udhëheqësit e dy shteteve, duke e kthyer "Vizionin e San Franciskos" një “realitet”.

foto: VCG

foto: VCG

Kryeministri kinez vuri në dukje se, si dy ekonomitë më të mëdha në botë, Kina dhe ShBA-ja kanë interesa të ndërthurura thellësisht ekonomike dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomiko-tregtar ka rëndësi jetike për zhvillimin e të dyja palëve si dhe për rritjen e ekonomisë globale. Të dyja palët duhet të forcojnë komunikimin dhe së bashku të gjejnë mënyra për të menaxhuar dhe zgjidhur mosmarrëveshjet, në mënyrë që bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar kino-amerikan të jetë i qëndrueshëm, i qetë dhe efikas, duke krijuar më shumë përfitime për kompanitë dhe popujt e të dy vendeve dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik global dhe përmirësimin e mirëqenies njerëzore.

Ai shpreson që pala amerikane do të punojë së bashku me Kinën për t’iu përmbajtur normave bazë të ekonomisë së tregut, konkurrencës së ndershme dhe bashkëpunimit të hapur, dhe jo për t’i politizuar çështjet ekonomike dhe tregtare. Pala amerikane duhet të shikojë çështjen e kapaciteteve prodhuese në mënyrë objektive dhe dialektike nga perspektiva e tregut, nga një perspektivë globale dhe ligjësitë ekonomike. Zhvillimi i industrisë të energjive të reja në Kinë do të japë kontribute të rëndësishme në transformimin global të gjelbër dhe me karbon të ulët. Kina është e gatshme të forcojë koordinimin e politikave me ShBA-në në çështje si ndryshimet klimatike dhe të adresojë së bashku me të sfidat globale.

Yellen tha se, falë përpjekjeve të përbashkëta, marrëdhëniet ShBA-Kinë janë bërë më të qëndrueshme. Si dy ekonomitë kryesore të botës, ShBA-ja dhe Kina duhet të menaxhojnë me përgjegjësi marrëdhëniet ekonomike dypalëshe. Pala amerikane vlerëson përparimin e arritur në dialogun dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe nuk kërkon "shkëputje" nga Kina. Ajo është e gatshme të punojë me Kinën për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur në takimin e udhëheqësve të dy shteteve në San Francisko, të komunikojë sinqerisht, të shmangë keqkuptimet, të thellojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin, të menaxhojë siç duhet dallimet dhe të përballojë së bashku sfidat globale urgjente, duke nxitur një zhvillim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes ShBA-së e Kinës. (Li Huailiang/Edmond)