Termocentrali bërthamor i gjeneratës së re fillon furnizimin me ngrohje në Kinën lindore
2024-04-06 17:19:47

Termocentrali i parë bërthamor i gjeneratës së katërt në botë, centrali bërthamor i reaktorit me temperaturë të lartë të gazit Shidaowan (HTGR) i Kinës, ka filluar të sigurojë furnizim me ngrohje për banorët e qytetit Rongcheng, provinca Shandong e Kinës lindore, shkruan “Xinhua”.

foto: VCG

foto: VCG

Kjo është hera e parë që termocentrali bërthamor ofron furnizim me ngrohje për banorët e zonave urbane, duke shënuar një tjetër përparim në përdorimin gjithëpërfshirës të energjisë së tij bërthamore, bëri të ditur operatori i termocentralit, “Huaneng Shandong Shidaowan nuclear power Co., Ltd”.

Prej 27 marsit, projekti i furnizimit me ngrohje të termocentralit është lidhur me rrjetin elektrik për të ndihmuar në ngrohjen e rreth 190.000 metrave katrorë të sipërfaqeve në qytet, duke zëvendësuar energjinë termike të dikurshme.

Sipas operatorit, pritet të kursehet rreth 3700 tonë qymyr në çdo sezon ngrohjeje, duke rezultuar në 6700 tonë ulje të emetimeve të dyoksidit të karbonit.

Sezoni i ngrohjes në Rongcheng është planifikuar të zgjasë nga nëntori 2023 deri në mes të prillit të këtij viti, më gjatë se disa pjesë të tjera të Shandong. Qyteti bregdetar shpesh ka një temperaturë mesatare 6 deri në 10 gradë Celsius më të ulët se qytetet e tjera të Shandong, sipas autoriteteve lokale meteorologjike.

Projekti është zhvilluar bashkërisht nga “China Huaneng Group”, Universiteti Tsinghua dhe Korporata Kombëtare Bërthamore e Kinës.

Ndërtimi i termocentralit bërthamor Shidaowan HTGR filloi në dhjetor 2012 dhe gjeneroi energji për herë të parë në dhjetor 2021. Ai hyri në funksionim komercial në dhjetor 2023. (Irma)