Denaj: Bashkimi i fermerëve domosdoshmëri, rrit standardet e prodhimeve!
2024-04-04 10:43:25

Ministrja Anila Denaj (Foto Revista Monitor)

Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj ka bërë sërish thirrje për bashkim të fermerëvë. Kjo sipas Ministres është e domosdoshme  për standardin e sigurisë ushqimore. E gjithë kjo sjell bashkim interesash dhe jo pronash, sjell potencial më të madh bujqësor.

“Unë kam 6 muaj si ministre bujqësie, ju më njihni si ministre financash dhe zanatin tim si financiere, lapsi i mprehur është ai që bën ekonomi. Nuk ka mundësi që ne të vazhdojmë të rrimë të vegjël. E kur flasim ne nuk flasim secili nga ne, por duhet të kuptojmë që në një zonë të caktuar aty ku potenciali është për t’u bashkuar dhe jo për t’ju kthyer kooperativave, sepse në një farë mënyre të gjithë mendojnë zonja ministre po na sjell prapë kooperativat. Ndoshta është një fjalë që duam ta harrojmë edhe pse disa nëpërmjet bashkimit të shoqërive bujqësor ia kanë parë hajrin, por le të themi që ajo që po kërkojmë sot te skema është një bashkim interesash, jo pronash. E kështu dua të heq çdo frikë, çdo ndrojtje kur të fillojnë aplikimet në 27 mars, kur 3, 4,5, 7 blegtorë, apo fermerë të cilët kanë më pak se 1 hektarë, qoftë sera apo produkte në fushë, të bëhen bashkë dhe të firmosin një marrëveshje interesi e pa noterizuar për të shkuar tek një agronom apo veteriner, i cili ju ndjek tek hallet apo problemet deri tek kontrata e cila duhet më në fund ta bëjmë të gjithë ne detyrim për të arritur atë që është shitja e produktit dhe marrja e parave mbrapsht.”

 Duke u bashkuar tha Ministrja Denaj ulen kostot dhe rriten fitimet për fermerët.

“Bashkimi i operatorëve sot, jo vetëm është një kërkesë e tregut, por është një kërkesë e skemës. Kemi disa halle që nuk i tejkalojmë dot menjëherë, është fragmentarizmi i tokës. Ne nuk mund të themi dot sot që kemi për çdo fermerë sipërfaqe të mëdha me hektarë. Ne flasim për 1ha për fermerë. Çfarë do të thotë kjo? Që ka edhe të tjerë që kanë më pak. Ka serra, të cilat janë në gjysmën hektari. Arrijmë dot ne të automatizojmë proceset bujqësore? Arrijmë dot ne të investojmë të gjithë protokollet bujqësore për një produkt që kërkon jo vetëm tregu i jashtëm, por edhe ata që po vijnë tani në këtë vit besoj që do arrijnë 14 milionë turistë. Kërkohet cilësi, por cilësia për mua si ekonomiste është të mprehësh lapsin dhe të vendosësh që kostot të jenë oportune për sipërfaqe më të mëdha për produkte prodhimi më të mëdha. Për ndjekje protokolli të gjithë njësoj, tek i njëjti treg dhe shpresoj tek ky treg që e përmendëm pak më parë. Prandaj ju lutem mos e merrni bashkimin e operatorëve si një thirrje e ministres dhe kjo ka qenë lajtmotivi im që në ditën e parë që kam filluar punë në Ministrinë e Bujqësisë, sepse e besoj fort si ekonomiste duke u bashkuar ne ulim kostot dhe thyejmë edhe disa tabu të tjera për të arritur tek tregjet.”- u shpreh Denaj.

Teksa u ndal edhe tek skema kombëtare mbështetese, Denaj garantoi fermerët që cdo masë do të merret maksimalisht nga aplikuesit.

“Së dyti përtej politikës që është pjesë e përgjegjësisë sime do të thoja cfarë është interesi për ju, për ju do të ishte më shumë lekë, sepse cdo masë që u tha më parë do të merret maksimalisht, të parët që do përfitojnë nga skema masën e plotë qoftë të blegtorisë, ashtu dhe të perimeve, apo luleshtrydheve apo të tjera, do ta marrin skemën e plotë, pra ata që janë të bashkuar do ta marrin skemën e plotë. Nëse ne kemi 100 apo 1000 operator të bashkuar ata do marrin pjesën më të madhe të lekëve dhe pjesa tjetër do shpërndahet tek të tjerët. Pra të gjithë do të marrin, disa do marrin më shumë dhe disa do marrin më pak. Dhe kjo dhe njëherë për të siguruar cilësinë e produktit dhe protokollin  e ndjekur. Një element tjetër i rëndësishëm është heqja e tavaneve. Cdo vit ëshë vendosur një tavan dhe në një farë mënyrë janë vendosur për një sipërfaqe të caktuar toke, apo për 300 krerë të imëta, apo për 50 gjedhë, sepse dhe aq kemi pasur lekë. Nuk kemi sot vetëm nevojën për të parë tek leku, kemi nevojë për të nxitur tufat, prandaj kemi hequr tavanin dhe kemi vendosur që masa do të vazhdojë të përfitohet dhe do jetë 50% e asaj që do ishte përpara tavanit.”

Prodhim domatesh në serra (Foto Agroweb)

Ferma blegtorale (Foto ATSH)

Bashkimi I fermerëve do të sillte më shumë fonde për bujqësinë.

“Dhe së fundmi, ne të paktën ministri vitin e kaluar dhe falë mbështetjes që na u dha me aktin normativ arritëm që të shpërndajmë naftën tek të gjithë përfituesit dhe pse në muajin shtator nuk ishim me të gjithë shpërndarjen aty ku duhej. Edhe këtë vit ju e dini dhe opozita flet herë pas here jo buxheti më i vogël etj etj, cështja është cfarë vendoset në tabele, çështje është çfarë bëhet fakt. Dhe vjet ishte fakt 51 milionë $ të shpërndara tek fermerët 65 000 fermerë, këtë vit do të jetë 55 milionë dollarë tek 70 000 fermerë. Sigurisht, nëse bashkohen më shumë do të jetë një presion më i madh për të kërkuar më shumë lekë. Hajde t’a bëjmë së bashku! Operacionalisht nuk do të punojmë Skemën e Naftës me naftë, do e punojmë me llogari ku të gjithë përfituesit sipas asaj që është përllogaritja do ta marrin këtë vlerë në llogarinë e tyre. Jemi duke punuar edhe me bankat që edhe ato të hapin llogari bankare edhe me kosto të reduktuara, por ama duhet të kuptojmë një gjë asnjë fermer nuk duhet t’a mendoj që është biznes për lëmosh. Ky është biznes për ekonomi. Kjo është një ndarje shumë e qartë me të shkuarën. Ne sot kemi tregun ndërkombëtar, e kemi tregun lokal. “

Prodhimin nga fermerët e lidh me sfidën në turizëm për të shërbyerme prodhime vendi.

“Ne këtë vit vetëm nga 14 milionë turistë do të kemi presion për të prodhuar produkt ushqimor 1,2 miliardë dollarë dhe kemi presionin e tregjeve të eksportit të cilat mund të jenë në nivelin 800 milionë $. Pra ne flasim për 2 miliardë dollarë ofertë ushqimore dhe s’kemi ne mundësi t’a bëjmë këtë me sigurinë ushqimore që kërkohet dhe njëkohësisht me mundësitë për të zgjeruar kapacitetet tona të brendshme qoftë në sipërfaqe ashtu edhe në prodhim cilësor. Unë mendoj që po, por ne duhet të mendojmë jo më të vegjël. Pak më parë ju thatë që kemi bashkuar të paktën 15 blegtorë 5 krerë. Vetëm një shifër 36% e fermave tona blegtorale janë 1-5 krerë. Mendoni vetë se të gjithë janë ekonomistë që kanë pak dynym apo ata që kanë pak krerë, sepse në fund është ekonomia familjare që duhet llogaritur. Bëhet ekonomi me 1-5 krerë për të ushqyer 14 milionë turistë dhe të gjithë shqiptarët apo ata që janë për eksport? Nuk mundemi. Prandaj kur flasim për bashkim nuk flasim vetëm për të rregulluar pjesën e cilësisë ushqimore, po edhe për të rritur presionin ndaj standardit të masës.”

Kërkesa jonë për bashkim operatorësh absolutisht nuk duhet marrë si një kërkesë formale, tha Denaj, duke shprehur nevojën për t’ju ndihmuar fermeret e begtoret, për të bashkuar ekonomitë e vogla në ekonomi më të mëdha, për të siguruar më shumë mirëqënie për secilin nga pjestarët e familjeve te vogla, po edhe të familjes tonë të madhe.Ministrja gjithashtu beri me dije se tashme po finalizohet nisma edhe per lehtesimin e dhenies se lejeve te ndertimit ne zonat rurale, cka do ndikoje ne zhvillimin e tyre.