Bizneset kineze kërkojnë partneritet në Bullgari në eventin e industrisë
2024-04-04 12:09:56

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Organizatorët e konferencës mbi bashkëpunimin tregtar dhe investues midis provincës Sichuan të Kinës jugperëndimore dhe Bullgarisë, shpresojnë të forcojnë lidhjet ekonomike midis vendit të Evropës Lindore dhe provincës së begatë kineze, shkruan “Xinhua”.

Veprimtaria njëditore e organizuar nga Këshilli i Kinës për Nxitjen e Tregtisë Ndërkombëtare (CCPIT), Këshilli i Siçuanit dhe Dhoma Bullgare e Tregtisë dhe Industrisë (BCCI), mblodhi tetë kompani kineze dhe më shumë se 30 partnerë të mundshëm bullgarë.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Huang Li, president i Këshillit CCPIT Sichuan dhe president i Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë Sichuan, tha se Këshilli mbështet ndërmarrjet nga provinca që të shkojnë jashtë vendit, të krijojnë lidhje me bizneset e huaja dhe të veprojnë si ura për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik.

Duke marrë parasysh perspektivat pozitive ekonomike, presidenti i BCCI, Cvetan Simeonov, tha se kompanitë që morën pjesë në këtë ngjarje kanë çdo shans për të gjetur partnerët e tyre.

Simeonov tha se beson se bizneset do të inkurajohen të ndërmarrin hapa jo vetëm drejt shkëmbimit tregtar me provincën kineze, por edhe për të bërë investime.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Fan Chenyao, zëvendësmenaxheri i përgjithshëm i “F&W Machine Manufacturing Co., Ltd.”, një nga kompanitë kineze të pranishme në këtë event, tha se kompania ishte e interesuar të ngrejë një zyrë përfaqësuese në Evropën Lindore për shitjen dhe ruajtjen e produkteve të saj dhe për t'i shërbyer më mirë klientëve.

Në këtë aktivitet u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi midis Këshillit të CCPIT Sichuan dhe BCCI, si dhe një kontratë midis një kompanie kineze dhe bullgare. (Irma)