Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Pekin starton në mes të prillit
2024-03-30 16:42:41

Festivali i 14-të Ndërkombëtar i Filmit në Pekin është planifikuar të zhvillohet nga 18 deri më 26 prill, me regjisorin serb Emir Kusturica që kryeson jurinë ndërkombëtare për çmimin “Tiantan”, citon “Xinhua” organizatorët.

Gjithsej 15 filma do të konkurrojnë për çmimin “Tiantan” të këtij viti, të përzgjedhur nga një grup aplikimesh rekord prej 1509 filmash nga 118 vende dhe rajone.

Brazili është i ftuari i nderit në eventin e këtij viti, pasi këtë vit shënohet dhe 50-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Brazilit.

Një numër kineastësh brazilianë dhe përfaqësues të kompanive të filmit dhe televizionit do të marrin pjesë në festival, me një sërë filmash brazilianë që do të shfaqen në Pekin.

Gjatë festivalit, mbi 240 filma vendas dhe ndërkombëtarë me tema të ndryshme do të shfaqen në më shumë se 20 teatro në Pekin dhe komunën e tij fqinje Tianjin dhe provincën Hebei.

I nisur në vitin 2011, festivali synon të nxisë shkëmbimet midis aktorëve të industrisë globale. Ai ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare në rritje falë tregut të lulëzuar të filmit në Kinë. (Irma)