Kina thellon reformën e hapjen, duke u bërë thirrje investitorëve globalë
2024-03-28 20:06:15

foto: VCG

foto: VCG

Ceremonia e hapjes së Konferencës Vjetore të Forumit të Boaos për Azinë (BFA) 2024 u mbajt në Boao të provincës Hainan të Kinës Jugore të enjten. Në fjalimin e tij në forum, kryeligjvënësi kinez Zhao Leji theksoi potencialin ekonomik të Kinës, duke u bërë thirrje investitorëve ndërkombëtarë dhe duke nxitur solidaritetin e bashkëpunimin në Azi për begati rajonale.

Zhao Leji, kryetari i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore, theksoi se Kina po ndjek një rrugë zhvillimi me cilësi të lartë dhe po thellon reformat dhe hapjen, të cilat sipas tij do të ofrojnë mundësi të mëdha zhvillimi për Azinë dhe botën.

Kina ka vendosur një objektiv rritjeje ekonomike prej rreth pesë për qind për vitin 2024 dhe PBB-ja e vendit u shtua me 5.2 për qind vitin e kaluar, një nga rritjet më të larta midis ekonomive kryesore.

foto: VCG

foto: VCG

Ekonomia kineze zë rreth një të tretën e rritjes globale dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar vitin e kaluar parashikoi se një shtim prej 1 pikë përqindjeje në rritjen e PBB-së së Kinës do të çojë në një ngritje prej 0.3 pikë përqindjeje në ekonomitë e tjera aziatike. Për të transformuar ekonominë e saj dhe për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm, Kina tani po thellon reformat. Kështu, Kina është zotuar të shkurtojë më tej listën negative për investimet e huaja, të heqë të gjitha kufizimet për hyrjen e investimeve të huaja në sektorin e prodhimit dhe të ofrojë trajtim kombëtar për bizneset e huaja.

Kina ka premtuar gjithashtu të arrijë kulmin e lëshimeve të dioksidit të karbonit brenda vitit 2030 dhe asnjanësimin e karbonit deri në vitin 2060. Të dhënat zyrtare tregojnë se kapaciteti i energjisë diellore të instaluar i Kinës përbën gati gjysmën e kapacitetit të botës, numri i automjeteve me energji të re të regjistruara në Kinë zë mbi gjysmën e botës dhe të paktën 25 për qind e shtimit të pyllëzimit që nga fillimi i viteve 2000 globalisht ka ardhur nga Kina. Zhao tha se zhvillimi i gjelbër dhe me karbon të ulët i Kinës pritet të formojë një treg prej 10 trilionë juanësh (rreth 1.4 trilion dollarë) për investime dhe konsum çdo vit.

foto: VCG

foto: VCG

Përveç kësaj, nxitësit e rinj të ekonomisë së Kinës nga inovacioni i teknologjisë po rriten gjithashtu me shpejtësi.

Në Forumin e Zhvillimit të Kinës që sapo përfundoi, kryeministri kinez Li Qiang tha se vlera e shtuar e industrive strategjike të reja të Kinës u rrit nga 7.6 për qind e PBB-së 10 vjet më parë në më shumë se 13 për qind vitin e kaluar, kurse shkalla e ekonomisë digjitale të Kinës i ka tejkaluar 50 trilion juanët. "Potenciali i tregut të madh të Kinës me mbi 1.4 miliardë banorë do të çlirohet më tej," tha Zhao. “Investimi në Kinë është investim për të ardhmen”.