Franca dhe Brazili, plan investimi prej 1.1 miliardë dollarësh në Amazonë
2024-03-28 17:48:09

Presidentët e Francës dhe Brazilit (Foto ATSH)

Presidentët e Francës dhe Brazilit (Foto ATSH)

Presidenti brazilian dhe ai francez njoftuan planin për të investuar 1 miliard euro (1,1 miliardë dollarë) në Amazonë, duke përfshirë pjesë të pyjeve tropikale në Guajanën franceze fqinje, bën të ditur “ATSH”.

Qeveritë e të dy vendeve thanë në një deklaratë të përbashkët se paratë do të shpërndahen gjatë katër viteve të ardhshme për të mbrojtur pyjet tropikale. Do të jetë një bashkëpunim i bankave shtetërore braziliane dhe Agjencisë së Investimeve të Francës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e nisi vizitën e tij treditore në Brazil në qytetin e Amazonës, Belem, ku takoi homologun e tij brazilian Luiz Inácio Lula da Silva.

Presidenti francez më pas mori një varkë në ishullin Combu për t’u takuar me udhëheqësit indigjenë.

Lula tha gjatë një fjalimi se vizita e Macron është pjesë e një përpjekjeje globale për të forcuar mbrojtjen e pyjeve tropikale.

Zyra e Macron njoftoi më herët se nuk ishte parashikuar një marrëveshje e mundshme tregtare europiane me bllokun e Amerikës së Jugut, Mercosur. Presidenti francez është kundërshtar i një marrëveshjeje të tillë për sa kohë që prodhuesit e Amerikës së Jugut nuk respektojnë të njëjtat standarde mjedisore dhe shëndetësore si europianët, pasi fermerët ngritën shqetësime gjatë protestave në të gjithë Francën dhe Europën. (Elona)