Wang Yi thotë se Kina shpreson që BE-ja të ndjekë një politikë pragmatike ndaj Kinës
2024-04-28 16:33:58

Foto nga VCG

Zyrtari i lartë kinez Wang Yi tha të shtunën se shpreson që pala franceze do ta shtyjë Bashkimin Evropian të ndjekë një politikë pozitive dhe pragmatike ndaj Kinës, gjatë një bisede telefonike me Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të presidentit francez Emmanuel Macron.

Duke përmendur situatën e paqëndrueshme ndërkombëtare, Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe drejtor i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Komitetit Qendror të PKK-së, tha se komuniteti ndërkombëtar pret nga Kina dhe Franca të formojnë një qëndrim të përbashkët për çështjet madhore që lidhen me paqen, stabilitetin botëror, të ardhmen dhe fatin e njerëzimit.

Ai tha se Kina e Franca këmbëngulin në pavarësinë dhe bashkëpunimin me leverdi reciproke, të dyja kundërshtojnë ndarjen e botës dhe konfrontimin mes blloqeve, dhe të dyja praktikojnë multilateralizmin dhe mbështesin Kartën e OKB-së e ligjin ndërkombëtar. Wang Yi shtoi se Kina është e gatshme t’i japë shtysë bashkëpunimit dypalësh me Francën në fusha të ndryshme, për t’i çuar këto raporte në një nivel të ri dhe luajtur së bashku një rol të rëndësishëm si dy vende të mëdha përballë sfidave globale.

Këshilltari Bonne tha se Franca kundërshton konfrontimin mes blloqeve dhe është e gatshme ta shfrytëzojë 60-vjetorin e vendosjes së marrdhënieve diplomatike mes dy vendeve si një mundësi për të intensifikuar shkëmbimet e nivelit të lartë dhe për të forcuar bashkëpunimin praktik. Ai shtoi se të dy palët duhet të punojnë së bashku për të qetësuar çështjet e nxehta, për të përballuar sfidat globale, duke përfshirë ndryshimin e klimës, për të ngushtuar hendekun Veri-Jug dhe për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Francë-Kinë dhe Evropë-Kinë.

Të dy palët ranë dakord të bashkëpunojnë për inteligjencën artificiale, të forcojnë koordinimin në trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe të përmirësojnë më tej praktikën "nga ferma franceze në tryezën e darkës kineze", në mënyrë që të sigurojnë një mjedis të mirë për ndërmarrjet e të dyja palëve për të investuar dhe bërë biznes në vendet e njëri-tjetrit.

Bashkëbiseduesit u koordinuan gjithashtu edhe për çështjet ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët, si çështja e Ukrainës dhe konflikti palestinezo-izraelit. (Çang Çuo)