Vetëm duke zgjidhur këtë problem themelor, marrëdhëniet Kinë-ShBA mund të përmirësohen realisht
2024-04-28 16:22:13

"Kina është e lumtur që sheh nja ShBA të sigurt, të hapur, të begatë dhe në zhvillim dhe shpreson që Shtetet e Bashkuara të ketë të njëjtën pikëpamje pozitive për zhvillimin e Kinës”. Kështu theksoi të premten presidenti kinez Xi Jinping gjatë takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit  Anthony Blinken. Ai tha gjithashtu se të dyja vendet duhet të jenë partnere e jo rivale, ta ndihmojnë njëra-tjetrën që të kenë sukses dhe jo ta dëmtojnë atë, të kërkojnë bazën e përbashkët, duke lënë mënjanë dallimet e jo të angazhohen në konkurrencë negative, t’i kthejnë fjalët në vepra dhe jo të thonë një gjë dhe të bëjnë të kundërtën e saj.

Foto nga Xinhua

Ndërsa pala amerikane përsëriti një sërë angazhimesh politike ndaj Kinës dhe shprehu shpresën e saj për të ruajtur komnikimin me palën kineze, për të zbatur me ndërgjegje konsensusin e San Franciskos të arritur nga liderët e dy vendeve dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të raporteve kino-amerikane.

Ka një thënie në Kinë: "Nëse themeli nuk është i fortë, toka do të dridhet". Për marrëdhëniet kino-amerikane, kuptimi strategjik, domethënë nëse Kina dhe ShBA-të duhet të jenë partnerë apo rivalë, është një çështje themelore. Nëse Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Kinën si një partner bashkëpunues, të dyja palët do të përfitojnë dhe bota do të ketë më shumë stabilitet dhe siguri. Nëse Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë gjithmonë Kinën si kundërshtarin e saj kryesor, marrëdhëniet dypalëshe do të jenë të trazuara dhe plot probleme.

Foto nga Xinhua

Që nga takimi mes liderëve të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në San Francisko nëntorin e kaluar, marrëdhëniet kino-amerikane në përgjithësi janë stabilizuar dhe të dyja palët kanë realizuar një sërë bashkëbisedimesh dhe bashkëpunimesh në fushat e diplomacisë, ekonomisë e tregtisë, të zbatimit të ligjit, të bujqësisë, apo ushtrisë. Vizita e Blinken në Kinë ruan ritmin e shkëmbimeve të nivelit të lartë midis dy vendeve.

Të dy palët arritën një “konsensus prej pesë pikash” këtë herë, duke përfshirë vazhdimin e shkëmbimeve midis dy ushtrive, promovimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për kontrollin e drogës, ndryshimet klimatike dhe inteligjencën artificiale, si dhe zgjerimin e shkëmbimeve njerëzore dhe kulturore midis dy vendeve, duke treguar se të dyja palët janë të gatshme që ta ruajnë dialogun, të menaxhojnë dallimet dhe të promovojnë bashkëpunimin për të përshpejtuar realizimin e konsensusit të San Franciskos të arritur nga krerët e dy vendeve.

Vitet e fundit, kur janë mbajtur kontakte të nivelit të lartë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, çështjet e njohjes strategjike janë diskutuar gjithmonë. Gjatë takimit midis krerëve të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në San Francisko, presidenti Xi Jinping propozoi ndërtimin së bashku të "pesë shtyllave" në marrëdhëniet kino-amerikane. Shtylla e parë është krijimi i përbashkët i mirëkuptimit. Jo shumë kohë më parë, gjatë një bisede telefonike me presidentin amerikan Biden, presidenti Xi theksoi se çështja e ndërgjegjësimit strategjik ka qenë gjithmonë "butoni i parë" që duhet të fiksohet në marrëdhëniet mes dy vendeve. Gjatë vizitës së Blinken, u theksua se Kina është një vend socialist që i përmbahet rrugës së zhvillimit paqësor, ndërsa logjika e konkurrencës së fuqive të mëdha për hegjemoni dhe mentaliteti i Luftës së Ftohtë nuk janë as në ADN-në e Kinës dhe as sjellje e saj.

Këto deklarata dërgojnë një mesazh të qartë: synimi i zhvillimit të Kinës është të lejojë njerëzit e saj të jetojnë një jetë të mirë, jo të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara. Për më tepër, Kina i ka parë gjithmonë marrëdhëniet kino-amerikane nga këndvështrimi i ruajtjes së mirëqenies themelore të dy popujve dhe ruajtjes së paqes dhe stabilitetit botëror.

Gjatë vizitës së Blinken, Kina i kërkoi edhe një herë ShBA-së që të mendojnë radikalisht për pozicionimin e marrëdhënieve kino-amerikane, i kërkoi ShBA-së të ndalojë armatimin e Tajvanit dhe theksoi se e drejta e popullit kinez për zhvillim është e patjetërsueshme. Nëse ShBA-të duan vërtetë të menaxhojnë marrëdhëniet kino-amerikane me përgjegjësi dhe pajtohen se "një Kinë në zhvillim dhe e suksesshme është një gjë e mirë për botën", duhet t'i dëgjojnë këto fjalë dhe t’i zbatojnë ato me vepra.

Aktualisht, stabilizimi i marrëdhënieve kino-amerikane i fituar me vështirësi është mirëpritur nga të gjitha sferat e jetës në të dy vendet dhe nga komuniteti ndërkombëtar. Të dyja palët duhet të vazhdojnë të punojnë më shumë për realizimin e "Vizionit të San Franciskos" dhe për të nxitur që marrëdhëniet kino-amerikane të jenë me të vërtetë të qëndrueshme, për t’u përmirësuar më tej dhe ecur përpara.