SHBA, 12 mijë viza speciale shtesë për afganët që punuan me misionin amerikan
2024-03-28 15:32:40

Ligjvënësit amerikanë kanë përfshirë 12,000 viza speciale emigrimi shtesë për afganët që mbështetën misionin amerikan në Afganistan. Programi do të zgjasë deri në fund të vitit 2025 dhe është pjesë e shpenzimeve buxhetore amerikane prej 1.2 trilionë dollarësh, shkruan “Panorama”.

Ndërsa mbështetësit e vizave për afganët e përshëndetën lajmin, ata thanë se kërkesa e tyre ishte për 32,000 viza shtesë për afganët që rrezikuan jetën në shërbim të misionit amerikan në Afganistan.

Programi i Vizave Speciale Emigruese ofron 38,500 viza dhe është i autorizuar nga Kongresi. Programi ofron për përfituesit e tij mundësinë e qëndrimit të përhershëm dhe përfundimisht mund të çojë në marrjen e shtetësisë amerikane.

Procesi i aplikimit për vizat speciale të emigrimit, përfshirë vendimmarrjen dhe miratimin, zgjat mesatarisht tre vjet, ndërsa zhvendosja përmes programit të refugjatëve mund të zgjasë deri në pesë vjet.

Aplikimet për secilin program fillojnë jashtë Shteteve të Bashkuara. (Elona)