Fitimet industriale të Kinës u rritën me 10.2 për qind në 2 muajt e parë
2024-03-28 15:27:33

CFP

Fitimet e firmave të mëdha industriale të Kinës u rritën 10.2 për qind në baza vjetore në dy muajt e parë të vitit, treguan të mërkurën të dhënat nga Zyra Kombëtare e Statistikave. Shifra përmbysi një rënie prej 2.3 për qind, të regjistruar në vitin 2023, shkruan “Xinhua”.

Fitimet e kombinuara të firmave industriale me të ardhura vjetore të biznesit kryesor prej të paktën 20 milionë juanë (rreth 2.82 milionë dollarë amerikanë) arritën në 914.06 miliardë juanë gjatë periudhës.

Ndër 41 kategoritë industriale të monitoruara nga zyra, 29 shënuan rritje fitimi. Fitimet e sektorit të prodhimit të pajisjeve kanë vijuar të rriten me shpejtësi në periudhën janar-shkurt. Fitimet e kombinuara të sektorit u rritën me 28.9 për qind. Rritja kontribuoi me 6.7 pikë përqindje në rritjen e përgjithshme të fitimeve industriale të vendit, duke e bërë sektorin e prodhimit të pajisjeve kontribuuesin më të madh. Fitimet për industrinë e prodhimit të mallrave të konsumit shënuan rritje relativisht të shpejtë në dy muajt e parë të vitit, të karakterizuara nga një rritje e kërkesës nga brenda dhe jashtë vendit.

CFP

Gjatë kësaj periudhe, fitimet e industrisë u rritën me 12.9 për qind në baza vjetore, duke përmbysur rënien prej 1.1 për qind të regjistruar vitin e kaluar. (Elona)