Izraeli nuk pranon kërkesat e Hamasit për armëpushim
2024-03-27 15:39:00

Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se autoritetet izraelite nuk do t’i pranojnë kërkesat e Hamasit për një armëpushim në Rripin e Gazës, pasi grupi radikal palestinez nuk e pranoi propozimin e Izraelit për armëpushim, shkruan “Panorama”.

Hamasi e hodhi poshtë propozimin më të fundit të Izraelit të hënën mbrëma, duke e akuzuar atë se i shpërfilli kërkesat kryesore të grupit, që përfshijnë përfundimin e luftës dhe largimin e plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza.

Netanyahu tha se Izraeli nuk do të dorëzohet para kërkesave joreale të Hamasit dhe do të vazhdojë të shkatërrojë armatimin e tij ushtarak dhe aftësitë qeverisëse, si dhe do të punojë për të liruar pengjet e mbetura në Gazë.

Të hënën, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, deklaroi se rezoluta për armëpushim në Gaza dhe për lirim të pengjeve nxiti Hamasin të refuzojë propozimin e Izraelit.

Ai kritikoi edhe SHBA-në, aleatin kryesor të Izraelit, se nuk përdori veton kundër rezolutës, pasi në të nuk dënohej Hamasi dhe sulmi i tij më 7 tetor në Izrael. (Elona)