Gjermania do të kryejë kontrolle kufitare gjatë Kampionatit Europian të Futbollit
2024-03-27 14:47:58

Policia gjermane (Foto Panorama)

Policia gjermane (Foto Panorama)

Gjermania do të kryejë kontrolle në të gjithë kufijtë e vendit gjatë Kampionatit Europian të Futbollit në qershor dhe korrik, njoftoi ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser.

Faeser tha për gazetën “Rheinische Post” se do të kryhen kontrolle në të gjithë kufijtë gjermanë gjatë Euro 2024, për mos të lejuar futjen e kriminalëve të mundshëm, citon “Panorama”.

“Kjo është e nevojshme për ta mbrojtur këtë kampionat të madh sa më mirë që të mundemi”,- tha ajo.

Autoritetet gjermane janë të vendosura të ofrojnë mbrojtje kundër ekstremistëve islamistë dhe ekstremistëve të tjerë, kundër huliganëve dhe të tjerëve, si dhe t’i sigurojnë rrjetet kundër sulmeve kibernetike, tha ajo.

Komentet e Faeser-it vijnë pak ditë pas një sulmi ndaj një salle koncertesh në Moskë, përgjegjësinë për të cilin e mori një grup i lidhur me Shtetin Islamik.

Megjithatë, vendimi për t’i kthyer kontrollet kufitare gjatë turneut të futbollit pritej kohë më parë. Kjo është bërë një praktikë standarde për vendet në zonën e lëvizjes së lirë në Europë.

Euro 2024 fillon më 14 qershor dhe finalja do të luhet në Berlin më 14 korrik.  (Elona)