Kryediplomati izraelit: Votimi i OKB-së për armëpushim të menjëhershëm në Gaza ndihmon Hamasin
2024-03-27 11:45:54

CFP

CFP

Kërkesa e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza ka forcuar lëvizjen militante palestineze Hamas dhe e ka shtyrë atë të refuzojë një propozim kompromisi të SHBA-së për një marrëveshje të re pengjesh, deklaroi ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz.

Ai tha se ishte i zhgënjyer që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kishin vënë veton ndaj rezolutës, citon “ATSH”.

“Ne presim që miqtë të na forcojnë në këto kohë të vështira dhe mos të na dobësojnë kundër Hamasit dhe të gjithë armiqve të tjerë”,- tha Katz.

“SHBA-ja duhet të vërë veton ndaj çdo vendimi që nuk dënon me forcë masakrën e tmerrshme dhe krimet seksuale të kryera nga Hamasi kundër foshnjave, grave, vajzave dhe të moshuarve më 7 tetor”,- shtoi ai.

Në një rezolutë të detyrueshme sipas ligjit ndërkombëtar, Këshilli i Sigurimit i OKB-së bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës për herë të parë që nga fillimi i luftës.

Përveç kësaj, organi më i fuqishëm i Kombeve të Bashkuara po kërkon lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve të mbajtura nga Hamasi. (Elona)