Kina dënon sulmin terrorist në Pakistan
2024-03-27 16:49:59

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Të mërkurën, Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës komentoi lidhur me sulmin me bombë në Dasu të Pakistanit, duke thënë se Kina dënon fuqishëm këtë sulm terrorist dhe i kërkon Pakistanit të hetojë incidentin sa më parë.

Zëdhënësi tha se më 26 mars, rreth në orën 1 pasdite sipas orës lokale, pesë shtetas kinezë dhe një pakistanez u vranë në një sulm terrorist kundër kolonës së automjeteve të Projektit Hidroenergjetik Dasu, të ndërtuar nga një kompani kineze në provincën Khyber Pakhtunkhwa.

"Ne shprehim ngushëllimet tona të thella për viktimat dhe i jemi pranë familjeve të tyre" tha zëdhënësi, duke shtuar se Kina i kërkon Pakistanit ta hetojë plotësisht incidentin, për të gjetur autorët dhe ti vërë ata para drejtësisë.

"Ndërkohë, i kërkojmë Pakistanit të marrë masa efikase për të garantuar sigurinë e shtetasve, projekteve dhe institucioneve kineze në Pakistan," tha zëdhënësi.

Zëdhënësi vuri në dukje se Ambasada Kineze në Pakistan ka njoftuar shtetasit dhe sipërmarrjet kineze në Pakistan, të ndjekin ngushtë situatën e sigurisë lokale dhe të forcojnë masat, për t’u mbrojtur nga sulmet terroriste.

Më 26 mars pasdite, Kryeministri i Pakistanit Shahbaz Sharif, vizitoi ambasadën kineze në Pakistan, për të shprehur ngushëllimet dhe përkrahjen për të afërmit e viktimave. Ai dënoi ashpër sulmin dhe tha se orvatja e terroristëve për të dëmtuar miqësinë Pakistan - Kinë, nuk do të ketë kurrë sukses.

Në të njëjtën ditë, Presidenti i Pakistanit Asif Ali Zardari, Ministri i Jashtëm, Ministri i Punëve të Brendshëm dhe politikanë të tjerë pakistanezë, dënuan ashpër sulmin dhe shprehën ngushëllime për viktimat. (Fani)