Presidentët e Kinës dhe Hondurasit shkëmbejnë urime për 1-vjetorin e marrëdhënieve
2024-03-26 20:01:09

foto: VCG

foto: VCG

Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologia e tij honduriane Xiomara Castro shkëmbyen urime të martën për përvjetorin e parë të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve.

Xi vuri në dukje se në mars të vitit të kaluar, Kina dhe Hondurasi vendosën lidhjet diplomatike, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet e tyre dypalëshe.

Ai shtoi se gjatë vizitës së suksesshme shtetërore të Castro-s në Kinë qershorin e kaluar, ata zhvilluan bisedime dhe arritën konsensus të rëndësishëm, duke përcaktuar drejtimin për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Gjatë vitit të kaluar, të dy palët kanë ndjekur parimet e respektit të ndërsjellë, barazisë, përfitimit reciprok e zhvillimit të përbashkët, duke siguruar që marrëdhëniet dypalëshe të fillojnë të rriten nga një nivel i lartë, tha Xi.

Ai theksoi se e vlerëson lart angazhimin e vendosur të Hondurasit ndaj parimit të “Një Kine”, duke vënë në dukje se faktet kanë vërtetuar që vendosja e marrëdhënieve diplomatike Kinë-Honduras është një vendim i saktë politik i marrë në përputhje me prirjen historike dhe u shërben interesave themelore të të dy vendeve.

Xi tha më tej se i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve kino-honduriane dhe është i gatshëm të punojë me Castro-n për ta shfrytëzuar përvjetorin e parë të lidhjeve dypalëshe si një mundësi për të konsoliduar mbështetjen e ndërsjellë, për të zgjeruar bashkëpunimin e gjithanshëm dhe për të krijuar së bashku një të ardhme më të mirë për marrëdhëniet Kinë-Honduras.

Castro theksoi se Kina, një vend me një qytetërim mijëravjeçar dhe me një rol të madh për të luajtur në procesin historik, është një model për botën dhe një partnere e rëndësishme e Hondurasit.

Vitin e kaluar Kina ka qenë e përkushtuar ndaj zhvillimit inovativ, ka marrë pjesë në përpjekjet për të gjetur zgjidhje për problemet globale dhe ka dhënë një ndihmë të madhe në luftën mbarëbotërore për uljen e varfërisë, theksoi Castro.

Hondurasi i qëndron fort parimit të “Një Kine” dhe është i gatshëm të zhvillojë lidhje me Kinën që karakterizohen prej pavarësisë dhe respektit të ndërsjellë, tha ajo, duke shprehur dëshirën që të dy popujt të kenë një miqësi afatgjatë.