Ekspedita e përbashkët shkencore Kinë-Indonezi vendos rekordin më të lartë të zhytjes në Indonezi
2024-03-25 10:39:14

Foto nga VCG

Ekspedita e përbashkët shkencore e kryer nga Akademia Kineze e Shkencave (CAS) dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit dhe Inovacionit të Indonezisë u zhyt me sukses 7178 metra thellë në kanalin Java në Oqeanin Indian, duke vendosur rekordin e zhytjes më të thellë për Indonezinë, njoftoi ekipi i ekspeditës, citon “China Daily”.

Sipas ekipit, kjo ekspeditë e përbashkët u zhvillua nga 23 shkurt deri më 23 mars, me përdorimin e zhytësit të drejtuar në det të thellë “Fendouzhe” të Institutit CAS të Shkencës dhe Inxhinierisë në Det të Thellë.

Ekipi vuri në dukje se “Fendouzhe” është zhytësi më i thellë në botë me njerëz dhe i pari i aftë për t'i çuar njerëzit rreth 10.000 metra nën ujë.

Në ceremoninë e mirëseardhjes për ekspeditën e përbashkët, ambasadori kinez në Indonezi, Lu Kang, tha: “Kina dhe Indonezia kanë thelluar bashkëpunimin kërkimor në shkencat detare në vitet e fundit. Shpresoj që shkencëtarët nga dy vendet tona mund të arrijnë rezultate kërkimore më cilësore në të ardhmen dhe të kontribuojë në ekonominë blu dhe zhvillimin e qëndrueshëm”.

Luhut Binsar Pandjaitan, ministri koordinues i Indonezisë për Çështjet Detare dhe Investimet, tha se ekspedita e përbashkët ka hapur një kapitull të ri për të dy vendet për të forcuar bashkëpunimin detar.

Ai shpreson që të dy vendet do të zgjerojnë më tej bashkëpunimin shkencor dhe të kultivojnë më shumë shkencëtarë dhe inxhinierë për Indonezinë. (Fatosi)