Kina vë veton ndaj draftit të ShBA-së, duke kërkuar një armëpushim pa kusht në Gazë
2024-03-23 15:39:43

Këshilli i Sigurimit i OBK-së hodhi poshtë të premten një projekt-rezolutë të ShBA-së për një armëpushim në Gaza për shkak të ushtrimit të vetos së Kinës dhe Rusisë. Kina tha se drafti i ShBA-së është i paqartë në thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm dhe se ai vendos vetëm kushte paraprake për një armëpushim, i cili në thelb hap dritën jeshile për vrasjet e vazhdueshme.

Në shpjegimin e tij pas votimit, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Zhang Jun, tha se "një armëpushim i menjëhershëm është kusht bazë" për të shpëtuar jetë, për të zgjeruar aksesin humanitar dhe për të parandaluar konfliktin e mëtejshëm.

Ambasadori vuri në dukje se drafti i ShBA-së ishte "i pabalancuar në shumë aspekte", veçanërisht në lidhje me deklaratat e përsëritura të kohës së fundit nga Izraeli për sulmet ushtarake në Rafah. “Drafti nuk kundërshtoi qartë veprime të tilla, duke dërguar një sinjal shumë të gabuar dhe me pasoja të rënda.” - shtoi ambasadori kinez.

Foto:VCG

Ambasadori Zhang Jun në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit(Foto:VCG)

Kanë kaluar mbi 160 ditë që nga shpërthimi i konfliktit në Gaza, në të cilin më shumë se 32 mijë civilë janë vrarë dhe miliona banorë po vuajnë nga uria. Zhang tha se veprimi më urgjent që duhet të ndërmerret nga Këshilli i Sigurimit është promovimi i një "armëpushimi të menjëhershëm, pa kusht dhe të vazhdueshëm".

Duke iu referuar nenit të 99-të të Kartës së OKB-së, ai theksoi se kjo është “thirrja universale” e bashkësisë ndërkombëtare. "Këshilli ka zvarritur këmbët dhe ka humbur shumë kohë në këtë drejtim." - vuri në dukje i dërguari i Kinës.

Ai kujtoi se ShBA-ja prezantoi projekt-rezolutën e saj pasi vuri veton më 20 shkurt ndaj një konsensusi dërrmues të anëtarëve të Këshillit për një armëpushim të menjëhershëm. Sipas tij, teksti përfundimtar i projektit të ShBA-së mbetet "i paqartë" dhe "nuk bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm", as nuk jep përgjigje për pyetjen e realizimit të një armëpushimi në një afat të shkurtër.

Ambasadori vuri në dukje se anëtarët e Këshillit kanë tani përpara një projekt-rezolutë tjetër që është "rezultat i konsultimeve kolektive" midis anëtarëve jo të përhershëm të Këshillit. "Ky draft është i qartë për çështjen e armëpushimit, në përputhje me drejtimin e duhur të veprimit të Këshillit dhe me rëndësi të madhe. Kina e mbështet këtë draft. Shpresojmë që anëtarët e Këshillit të arrijnë një marrëveshje mbi këtë bazë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të dërgojnë një sinjal të qartë, i cili bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm për t'i dhënë fund luftimeve".

Foto:VCG

Mbledhje e Këshillit të Sigurimit(Foto:VCG)

Zhang vuri në dukje njëkohësisht se, si anëtarët e tjerë, Kina ka bërë thirrje që nga fillimi për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve, një kërkesë e përsëritur në rezolutat nr. 2712 dhe nr. 2720 të Këshillit të Sigurimit. "Ne mirëpresim përpjekjet ndërmjetësuese nga Egjipti, Katari dhe të tjerët për këtë qëllim. Ne shpresojmë që të gjithë të arrestuarit të lirohen sa më shpejt".

Ambasadori tha se Kina hedh poshtë akuzat për "cinizëm" të ShBA-së dhe Britanisë ndaj votimit të Kinës. "Këto janë akuza të pabaza. Nëse ShBA-ja e kërkon seriozisht armëpushimin, nuk do të kishte vënë veton herë pas here për rezolutat e shumta të Këshillit dhe nuk do të kishte marrë një veprim të tillë të tërthortë dhe të luante një lojë fjalësh, duke qenë e paqartë ndaj kësaj çështjeje kritike.” - tha ai.

“Nëse ShBA-ja është serioze dhe kërkon një armëpushim, atëherë ju lutemi votoni në favor të projekt-rezolutës tjetër që bën thirrje të qartë për armëpushim, në mënyrë që të mund të arrihet përfundimisht dhe menjëherë, vuajtjet e palestinezëve të marrin fund dhe pengjet të lirohen në një datë sa më të hershme. Për ShBA-në në fazën aktuale, ajo që është më e rëndësishme nuk janë fjalët, por veprimet.” - shtoi ai.

Foto:VCG

Fëmijë në Gazë në resht për të marrë ushqim të ndihmës(Foto:VCG)

Ambasadori u zotua gjithashtu se Kina do të vazhdojë të punojë me anëtarët e Këshillit dhe komunitetin ndërkombëtar për të luajtur "një rol të përgjegjshëm dhe konstruktiv" për të arritur një armëpushim dhe për t'i dhënë fund luftimeve, për të lehtësuar vuajtjet, për të vënë në jetë zgjidhjen e “dy shteteve” dhe për të promovuar një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të vazhdueshme për çështjen e Palestinës.(Zhang Yan/Edmond)