Kompanitë kineze në panairin e ushqimit në Spanjë
2024-03-22 15:36:02

Rreth 150 kompani kineze morën pjesë sërish në “Alimentaria”, një nga panairet më të mëdha tregtare në Evropë për industrinë e ushqimit dhe pijeve, i zhvilluar këtë javë në Barcelonë të Spanjës.

Për pavijonin e Kinës, i cili paraqiti dhjetëra ushqime dhe pije, u kujdes Dhoma Kineze e Tregtisë për Importin dhe Eksportit e Produkteve Ushqimore, Prodhimeve Vendase dhe Nënprodukteve të Kafshëve (CFNA), shkruan “Xinhua”.

“Këtë herë u rikthyem në Barcelonë sepse dëshirojmë të sjellim produktet tona të shkëlqyera në botë dhe në Spanjë”,- deklaroi Emma Zhang, menaxhere e projektit të departamentit të ekspozitave të CFNA-së.

Hera e fundit që kompanitë kineze morën pjesë në ekspozitë ishte në vitin 2018, përpara pandemisë Covid-19.

Fokusi në tregun evropian është prioritet për kompanitë kineze që morën pjesë në panair, si kompania “Qingdao Yi Long Packaging Machinery”, që paraqiti sistemin e saj të automatizuar të paketimit të ushqimit.

“Ne kemi gjithnjë e më shumë klientë në Evropë dhe besoj se në të ardhmen mund të kemi një mirëkuptim më të mirë me njëri-tjetrin”,- tha menaxheri i shitjeve ndërkombëtare të kompanisë, Michael Li.

“Këtë vit ne jemi kthyer në nivelet e pjesëmarrjes para pandemisë, gjithçka është riaktivizuar”- tha Anna Canal, menaxhere e projektit në “Alimentaria”.

Në panairin e këtij viti, 900 nga 3200 pjesëmarrësit ishin nga jashtë Spanjës. Vendi pritës pati pavijonin më të madh në panair, i ndjekur nga Italia, Kina dhe Turqia.  (Irma)