Banka Botërore: Mungesa e ushqimit në Gaza, në nivele katastrofike
2024-03-22 11:51:17

Foto nga VCG

Banka Botërore paralajmëroi se gjysma e popullsisë në Rripin e Gazës është në rrezik të pashmangshëm urie, pasi mungesa e ushqimit po i afrohet niveleve katastrofike për më shumë se një milion njerëz, përcjell “Panorama”.

Gati gjashtë muaj pasi nisi lufta mes Izraelit e Hamasit, BB-ja bëri të ditur se duhet të merren veprime urgjente brenda dy muajve të ardhshëm për të parandaluar vdekjet nga uria.

Të dhënat nga Banka Botërore vijnë ndërsa shefi i OKB-së, Antonio Guterres, i bëri thirrje Izraelit të ofrojë qasje të menjëhershme dhe të pakushtëzuar për ndihmat përmes territorit, raportoi “The Guardian”.

Sipas Bankës Botërore, nga popullsia prej 2.3 milionë e Gazës, 1.1 milionë njerëz janë në kategorinë e rrezikut më të lartë – njerëz në katastrofë – që nënkupton rrezikun nga vdekja për shkak të kequshqyerjes.

Rreth 854.000 janë në kategorinë tjetër – njerëz në urgjencë – ku nevojitet veprim i menjëhershëm për t’u shpëtuar jetë. 12% të të tjerëve janë në kategorinë e tretë – njerëz në kriza.

Askush në Gaza nuk u vendos në kategoritë ku hyjnë njerëzit që kanë siguri në ushqim. (Irma)