Shefi i OPEC thekson bashkëpunimin energjetik me Kinën
2024-03-22 16:19:08

Sekretari i përgjithshëm i OPEC-ut, Haitham Al Ghais

Sekretari i përgjithshëm i OPEC-ut, Haitham Al Ghais, theksoi ndërlidhjen e organizatës me Kinën në fushën e energjisë dhe bëri thirrje për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit energjetik me ekonominë e dytë më të madhe në botë, shkruan “Xinhua”.

“Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe vendet e saj anëtare do të vazhdojnë të ofrojnë energjinë e përballueshme që i nevojitet Kinës për të përmbushur kërkesën e saj në rritje për energji, me ndërlidhjen tonë në sferën e energjisë që nënvizon forcën e marrëdhënieve tona”,- tha Al Ghais në takimin e 7-të të nivelit të lartë të Dialogut të Energjisë OPEC-Kinë, të zhvilluar në Vjenë. “Takimi mblodhi ekspertë për të shkëmbyer pikëpamjet mbi perspektivat e tregut dhe tranzicionin e energjisë. Ata vlerësuan përparimin në bashkëpunimin midis OPEC-ut dhe Kinës përmes kuadrit të Dialogut OPEC-Kinë për Energjinë dhe shprehën angazhimin e vendosur për të rritur bashkëpunimin në vijimësi, duke përfshirë në nivelet teknike dhe kërkimore”,- thuhet në deklaratën e OPEC.

Duke vënë në dukje rëndësinë e Dialogut OPEC-Kinë për Energjinë, Al Ghais tha se dialogu kontribuon në stabilitetin në tregun e naftës në interes të prodhuesve, konsumatorëve dhe ekonomisë globale dhe ndihmon të përmbushen sfidat për një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë.

Takimi u kryesua nga Al Ghais dhe Zhang Jianhua, kreu i Administratës Kombëtare të Energjisë të Kinës.

Takimi i radhës i nivelit të lartë i Dialogut të Energjisë OPEC-Kinë është planifikuar të mbahet vitin e ardhshëm, sipas OPEC-ut. (Irma)