Kryeministri Sunak: Samiti europian do të mbahet në Britani në korrik
2024-03-21 11:55:05

Foto nga VCG

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, do të presë liderët europianë në pallatin Blenheim në korrik për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën dhe parandalimin e emigrimit të paautorizuar.

Sunak njoftoi se samiti i Komunitetit Politik Europian (EPC) do të zhvillohet më 18 korrik, bën të ditur “ATSH”. Britania e Madhe nuk është më anëtare e BE-së, por EPC-ja është një grupim më i gjerë nga i gjithë kontinenti.

“Jam i kënaqur që Britania e Madhe do të presë takimin e ardhshëm të Komunitetit Politik Europian në pallatin historik Blenheim. Është një forum i rëndësishëm për bashkëpunim në të gjithë Europën për çështjet që po na prekin të gjithëve, duke kërcënuar sigurinë dhe prosperitetin tonë”,- tha Sunak duke shpallur datën e samitit.

Sipas tij, nga mbështetja e plotë për Ukrainën deri te ndalimi i plagës së kontrabandës së njerëzve dhe emigracionit të paligjshëm, nën drejtimin e Britanisë së Madhe takimi do të bashkojë miqtë, partnerët dhe fqinjët europianë për të adresuar sfidat e përbashkëta.

Udhëheqësit e Komunitetit Politik Europian u takuan për herë të parë në tetor 2022 në Pragë dhe për herë të fundit u mblodhën në Granada, Spanjë, në tetor 2023. (Elona)