Vladimir Putin deklaron fitoren në zgjedhjet presidenciale: Fitorja e sotme e bën Rusinë më të fortë
2024-03-19 16:14:20

Foto Atsh

Pas përfundimit të procesit të votimit për zgjedhjet presidenciale, Vladimir Putin deklaroi se fitorja e tij do ta bëjë Rusinë më të fortë dhe më efektive, shkruan “RTSH”.

Putin tha se po ndërtohet një vullnet i përbashkët i popullit të Federatës Ruse.

Ai falënderoi qytetarët që votuan ndërsa ka shprehur mirënjohje të veçantë për luftëtarët në front, duke iu referuar vijës së parë të konfliktit në Ukrainë.

“Pavarësisht se sa shumë u përpoqën të na trembin, të shtypin vullnetin tonë, ndërgjegjen tonë, askush nuk ka pasur sukses. Ata dështuan tani dhe do të dështojnë edhe në të ardhmen”, tha Putin.

Vladimir Putin ka në pushtet që prej 24 vitesh ku tashmë ai do të drejtojë Rusinë edhe për 6 vite të tjera.

Ndërsa shkon drejt mandatit të pestë, ai ka shërbyer 20 vjet si president dhe katër vite si kryeministër.

Në moshën 71-vjeçare, Putin ka udhëhequr Rusinë më gjatë se çdo sundimtar që nga ish-udhëheqësi i ish-Bashkimit Sovjetik, Josif Stalin, i cili kaloi pothuajse 31 vjet në pushtet.

Kushtetuta e Rusisë u ndryshua në vitin 2020, duke rritur mandatin presidencial nga katër në gjashtë vjet duke i dhënë Putinit një mundësi për të kandiduar përsëri dhe duke anuluar mandatet e tij të mëparshme.

Teorikisht, ai mund të kërkojë një mandat të gjashtë dhe të vazhdojë deri në vitin 2036, gjë që do t'i jepte atij qëndrimin më jetëgjatë në pushtet, madje më jetëgjatë se Katerina e Madhe e shekullit të 18-të. (Fatosi)