Kina bën thirrje për përpjekje ndërkombëtare për të nxitur çarmatimin dhe mospërhapjen bërthamore
2024-03-19 18:18:58

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Një i dërguar kinez bëri thirrje të hënën për përpjekje të përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare për të nxitur çarmatimin dhe mospërhapjen bërthamore. 

Ndalimi i plotë dhe shkatërrimi tërësor i armëve bërthamore, si edhe krijimi i një bote pa armë bërthamore, janë një aspiratë e përbashkët e bashkësisë ndërkombëtare, tha Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara.

Të gjitha vendet duhet të bashkohen në praktikimin e multilateralizmit të vërtetë, të zbatojnë konceptin e sigurisë së përbashkët, të gjithanshme, në bashkëpunim e të qëndrueshme, të kundërshtojnë vendosmërisht mendësinë e Luftës së Ftohtë dhe të kundërvënies në kampe, të forcojnë vazhdimisht autoritetin dhe efektshmërinë e Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore dhe të nxisin së bashku çarmatimin dhe mospërhapjen bërthamore, tha ai në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Shtetet me armë bërthamore duhet të synojnë kërkimin e masave të realizueshme për të ulur rreziqet strategjike, të negociojnë e të përmbyllin një traktat mbi mospërdorimin të parët të armëve bërthamore kundër njëri-tjetrit dhe t'u japin garanci sigurie të detyrueshme ligjërisht shteteve që nuk kanë armë bërthamore, tha Zhang. 

Ai shtoi më tej që Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të përmbushin përgjegjësitë e veta të posaçme e përparësore për të ulur më tej arsenalin e vet bërthamor në mënyrë drastike dhe thelbësore, me qëllim që të krijojnë kushtet për shtetet e tjera me armë bërthamore të bashkohen në procesin e çarmatimit bërthamor.

Zhang theksoi gjithashtu nevojën për të mbrojtur sistemin ndërkombëtar të mospërhapjes bërthamore. 

Çështjet e nxehta të mospërhapjes bërthamore, të tilla si çështjet bërthamore të Gadishulli Korean e Iranit, kanë sfond historik kompleks dhe janë të lidhura ngushtë me mungesën e vazhdueshmërisë së politikave të mospërhapjes së një vendi të caktuar, tha i dërguari kinez. 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

"Të gjitha palët duhet të përpiqen nga ana politike e diplomatike për të trajtuar shqetësimet e ligjshme të sigurisë të njëri-tjetrit   nëpërmjet dialogut dhe zgjidhjeve të ekuilibruara. Shtetet e Bashkuara duhet të braktisin kërcënimin e përdorimit dhe përdorimin e sanksioneve e të presionit," shtoi ai.