Telefonata Biden-Netanjahu: Një ekip izraelit do të vizitojë Uashingtonin
2024-03-19 17:39:22

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi të hënën kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu se një operacion ushtarak izraelit në Rafah do të përshkallëzonte anarkinë në Gaza dhe dy udhëheqësit ranë dakord që një ekip nga Izraeli të vizitojë Uashingtonin për ta diskutuar për gjendjen, tha Shtëpia e Bardhë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, u tha gazetarëve se ekipet e dy vendeve do të mbajnë bisedime gjithëpërfshirëse për hapat e mëtejshme në Gazë, ku po shpaloset një krizë humanitare.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Takimi mund të mbahet këtë javë ose javën e ardhshme, tha zoti Sullivan, duke shtuar se nuk do të ndërmerret asnjë operacion në Rafah përpara bisedimeve.

"Anarkia mbretëron në zonat që ushtria izraelite i ka spastruar, por nuk i ka stabilizuar" në Gazë dhe kriza humanitare do të thellohej nëse Izraeli do të vazhdonte me ofensivën në Rafah, tha zoti Sullivan, duke përmbledhur mesazhin e zotit Biden për kryeministrin Netanjahu.

Zoti Sullivan tha se Presidenti Biden kishte hedhur përsëri poshtë të hënën arsyetimin se të ngresh pikëpyetje për operacionin e mundshëm në Rafah është njëlloj si të ngresh pikëpyetje për nevojën e mposhtjes së Hamasit.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Qëndrimi ynë është se Hamasi nuk duhet të lejohet të strehohet në Rafah apo kudo tjetër, por një operacion i madh tokësor atje do të ishte i gabuar. Kjo do të shkaktonte më shumë vdekje mes civilëve të pafajshëm, do të përkeqësonte krizën humanitare, do të thellonte anarkinë në Gaza dhe do të izolonte më tej Izraelin ndërkombëtarisht”, tha zoti Sullivan.