Kreu i Mosadit drejt Katarit për bisedime mbi armëpushimin në Gaza
2024-03-18 11:54:52

Gaza (Foto nga VCG)

Kreu i Mosadit, David Barnea, pritet të bisedojë në Doha me zyrtarët e Katarit dhe Egjiptit, bashkëbiseduesit kryesorë me Hamasin, për një armëpushim të mundshëm në Gaza, njofton “RTSH”.

Nëse do të arrihet një marrëveshje, pritet që ajo të ketë disa faza.

Në fazën e parë, Hamasi ka propozuar lirimin e pengjeve izraelite që janë gra, duke përfshirë ushtarë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, plus të moshuarit, të sëmurët dhe të plagosurit.

Ky numër besohet të jetë rreth 40 nga 100 pengjet e vlerësuara që mbeten gjallë. Propozimi i fundit nga Hamasi kërkon që 700 deri në 1000 të burgosur palestinezë të lirohen.

Në një fazë të dytë, Hamasi ka bërë të ditur se secila palë duhet të lirojë të gjithë pengjet dhe të burgosurit e mbetur, të cilët do të përfshijnë ushtarë meshkuj IDF dhe më shumë të burgosur palestinezë.

Por pengesat më të vështira mund të jenë kërkesat e Hamasit që, pas shkëmbimit fillestar të pengjeve dhe të burgosurve, Izraeli të pranojë një armëpushim të përhershëm dhe një tërheqje të ushtrisë izraelite nga Gaza.

Qeveria e Izraelit ka bërë vazhdimisht të ditur se këto kushte janë të papranueshme dhe se ata ende synojnë të vazhdojnë luftën kundër Hamasit deri në fitoren e plotë. (Fatosi)