3 viktima nga zjarret pyjore në Kinën Jugperëndimore
2024-03-18 17:46:58

Tre zyrtarë lokalë humbën jetën, në përpjekje për të shuar zjarret pyjore që shpërthyen të premten dhe të shtunën, në provincat Sichuan dhe Yunnan të Kinës Jugperëndimore.

Këto ishin disa nga zjarret e shumta pyjore, që kanë rënë në Kinë prej muajit të kaluar. Sipas Administratës Kombëtare të Zjarrit dhe Shpëtimit, pranvera është sezoni kulmor i zjarreve pyjore, për shkak të kushteve të erës dhe thatësirës.

(Foto nga VCG)

Tre zyrtarët humbën jetën mes flakëve të zjarrit që filloi në orën 18:10 të së shtunës në fshatin Douge në Lincang, Yunnan. Zjarri shkaktoi gjithashtu edhe një të plagosur, sipas qeverisë lokale.

Zjarri, i cili u shua në orën 23:05 të së shtunës, falë përpjekjeve të 110 zjarrfikësve, preku një sipërfaqe prej rreth 5.33 hektarësh, deklaroi qeveria lokale. Gjithashtu shtuan se Autoritetet monitoruan vendin e zjarrit, në rast rindezjeje. Shkaku i zjarrit është nën hetim.

Në provincën fqinje Sichuan, ekipet e zjarrfikësve luftuan me një zjarr pyjor që shpërtheu rreth orës 17:00 të së premtes pranë fshatit Baizi, në qarkun Yajiang të prefekturës autonome tibetiane Garze.

Zjarri u përhap në një zonë më të madhe të shtunën, për shkak të rritjes së papritur të shpejtësisë së erës, sipas Ministrisë së Menaxhimit të Emergjencave.

Deri në  orën 1:30 të së dielës, zjarri ishte përhapur në tre vatra kryesore, për shkak të një ere të fortë të papritur dhe drejtimit të paparashikueshëm të erës, duke rezultuar në përhapjen e zjarrit në drejtime të shumta, sipas një raportimi nga Grupi Mediatik i Kinës.

Asnjë viktimë nuk u raportua nga këto zjarre, që nga pasditja e së dielës. Më shumë se 4900 banorë u evakuuan në mënyrë të sigurt, raportoi Grupi Mediatik i Kinës. Shkaku është gjithashtu nën hetim.

Qendra Kombëtare Meteorologjike, në përgjigje të flakëve që shpërthyen në Sichuan, urgjentisht monitoroi dhe parashikoi motin për shuarjen e zjarrit. Një hap kyç përfshiu rifokusimin e fushës së imazheve të shpejta satelitore në Chengdu, kryeqyteti i Sichuan, gjë që mundësoi vëzhgim më të afërt dhe më të shpeshtë të modeleve të motit të zonës së zjarrit.

Qendra meteorologjike e prefekturës ka paralajmëruar për rrezikun e vazhdueshëm të zjarreve pyjore në qarqet Yajiang dhe Kangding gjatë, tre ditëve të ardhshme.

(Foto nga VCG)

Shtabi kombëtar i parandalimit dhe kontrollit të zjarreve në pyje dhe kullota, ka aktivizuar gjithashtu një reagim emergjent dhe ka dërguar një ekip pune në vendngjarje, për të drejtuar punën e zjarrfikësve dhe shpëtimit.

Që nga mbrëmja e së dielës, më shumë se 2230 personel të shpëtimit nga zjarri ishin në vendngjarje, duke përfshirë mbi 1400 persona nga Sichuan.

Gjithashtu, tetë helikopterë nga Stacioni i Përgjithshëm Jugor i Mbrojtjes Ajrore të Pyjeve të Ministrisë së Menaxhimit të Emergjencave kryen operacione për shuarjen e zjarrit në vendngjarje.

Të dielën në mëngjes, disa banorë lokalë i thanë Agjencisë së Lajmeve Xinhua, se zjarri nuk ishte i dukshëm nga qarku i tyre dhe se uji, energjia elektrike dhe shërbimet e komunikimit nuk ishin prekur. (Ziqi/Elona)