Parlamenti Europian padit KE-në për zhbllokimin e fondeve për Hungarinë
2024-03-15 11:11:57

Foto nga VCG

Parlamenti Evropian njoftoi se do të padisë Komisionin Europian për vendimin e tij për të zhbllokuar fondet e BE-së për Hungarinë.

Vendimi u konfirmua pas një takimi me dyer të mbyllura midis presidentes së PE-së, Roberta Metsola, dhe krerëve të shtatë grupeve politike të këtij institucioni, shkruan “ATSH”.

Padia u rekomandua nga Komisioni i Çështjeve Ligjore i PE-së.

Çështja ka të bëjë me vendimin e 13 dhjetorit të KE-së për të zhbllokuar 10.2 miliardë euro (11.2 miliardë dollarë) të destinuara për Hungarinë, të cilat ishin pezulluar për shkak të shqetësimeve për ligjin e së drejtës.

Ekzekutivi i BE-së bëri të ditur në atë kohë se po i zhbllokonte fondet pasi Hungaria kishte marrë masat që ishte zotuar të merrte. Por, europarlamentarët e akuzojnë KE-në se ka mbyllur një sy ndaj problemeve të vazhdueshme.

Më 12 dhjetor, një ditë përpara se komisioni të njoftonte se po zhbllokonte fondet, Balazs Orban, një ndihmës i kryeministrit hungarez Viktor Orban, i sugjeroi “Bloomberg” që Hungaria mund të hiqte veton për ndihmën e BE-së për Ukrainën, nëse KE-ja zhbllokonte fondet e BE-së për vendin.

Çështja do të shqyrtohet në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, gjykata më e lartë e Bashkimit Europian. (Elona)