Kina nxit përdorimin e AI-së për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve
2024-03-15 15:13:23

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Një diplomat kinez bëri thirrje të enjten, në sesionin e 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara të zhvilluar në Pallatin e Kombeve në Gjenevë, për përparimin e zhvillimit me cilësi të lartë të inteligjencës artificiale (AI), për të ndihmuar në nxitjen e shëndetit mendor të fëmijëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. 

Duke mbajtur një deklaratë të përbashkët në emër të 80 vendeve, Chen Xu, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë dhe organizata të tjera ndërkombëtare në Zvicër, tha se AI përfaqëson një kufi të ri në zhvillimin njerëzor dhe duhet të qeveriset sipas parimeve të konsultimeve të gjera, kontributit të përbashkët dhe përfitimeve të ndërsjella.

Chen theksoi se fëmijët janë e ardhmja dhe shpresa e njerëzimit dhe brezi i ri do të jetë përdoruesi dhe përfituesi kryesor i teknologjive të AI-së.

Në deklaratë paraqiten tre propozime, që përfshijnë, së pari, dhënien përparësi të interesave të fëmijëve dhe shfrytëzimin e rolit të rëndësishëm të AI-së në shëndetin mendor të tyre. Së dyti, duhet nxitur drejtësia e përfshirja, duhen forcuar shkëmbimet e bashkëpunimi dhe duhet shmangur ndarja digjitale. Së fundmi, sipas deklaratës, duhen respektuar sovraniteti, ligjet, kushtet kombëtare dhe sfondi historik, fetar e kulturor i të gjitha vendeve dhe, me këtë parakusht, duhet forcuar qeverisja ndërkombëtare e AI-së.