Xi Jinping-u takon presidentin e Angolës Joao Lourenco
2024-03-15 20:21:10

Presidenti kinez Xi Jinping u takua pasditen e së premtes në Pekin me homologun e vet angolas Joao Lourenco, që ndodhet në Kinë për një vizitë shtetërore. Të dy krerët e shtetit deklaruan ngritjen e marrëdhënieve Kinë-Angolë në nivelin e partneritetit strategjik gjithëpërfshirës.

Foto:VCG

Foto:VCG

Xi vuri në dukje në takim se të dyja palët duhet të forcojnë bashkëpunimin me cilësi të lartë për ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë" dhe të promovojnë integrimin e strategjive të zhvillimit për të arritur më shumë rezultate konkrete. Kina është e gatshme të punojë me Angolën për të vënë në jetë projektet kyçe infrastrukturore, duke i mbështetur kompanitë kineze të zhvillojnë bashkëpunim të shumëllojshëm në Angolën dhe duke e ndihmuar Angolën të realizojë modernizimin bujqësor, industrializimin dhe diversifikimin ekonomik. Ai shprehu shpresën se Angola do të marrë masa më efektive për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e ligjshëm, si edhe sigurinë e qytetarëve dhe ndërmarrjeve kineze. Kina mirëpret Angolën të sjellë më shumë produkte të veçanta me cilësi të lartë në tregun kinez. Sipas presidentit Xi, Kina do të vazhdojë të zbatojë projekte për ta ndihmuar Angolën, si dërgimi i ekipeve mjekësore, dhe do të ofrojë bursa për studentët angolas, për të forcuar shkëmbimet njerëzore dhe miqësinë mes dy popujve.

Kreu i shtetit kinez vuri në dukje gjithashtu se Kina mbështet vendet afrikane dhe Bashkimin Afrikan në përpjekjet e tyre për t’i zgjidhur problemet e veta me mënyrën afrikane, duke ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale. Kina është e gatshme të forcojë bashkërendimin shumëpalësh me Angolën dhe vendet e tjera afrikane për të mbrojtur interesat e përbashkët të vendeve në zhvillim, duke promovuar  shumëpolarizimin e barabartë botëror dhe globalizimin ekonomik gjithëpërfshirës nga i cili fitojnë të gjitha palët, për të nxitur ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta për njerëzimin.

Ndërsa presidenti Lourenco tha nga ana e tij se, si në situatën e vështirë pas përfundimit të luftës civile, ashtu edhe në luftën kundër epidemisë së COVID-19, Kina ishte vendi i parë që i dha mbështetje të vlefshme Angolës, gjë për të cilën vendi i tij ndien mirënjohje të sinqertë. Mbështetja dhe bashkëpunimi i Kinës kanë përkrahur fuqimisht ndërtimin infrastrukturor dhe zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Angolës, duke u bërë një model i bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë. Ai mirëpriti më shumë kompani kineze të investojnë për të ndihmuar në zhvillimin dhe rilindjen kombëtare të vendit të tij. Angola i përmbahet me vendosmëri politikës së “një Kine” dhe është e bindur se Tajvani është pjesë e pandashme e Kinës dhe çështja e Tajvanit do të zgjidhet me sukses. “Angola e vlerëson shumë përkushtimin e vazhdueshëm të Kinës për të promovuar paqen e përparimin botëror, si edhe ruajtjen e drejtësisë ndërkombëtare, dhe është e gatshme të forcojë bashkëpunimin shumëpalësh me Kinën për të mbështetur objektivat dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe normat e rëndësishme të marrëdhënieve ndërkombëtare, si ruajtja e sovranitetit dhe e pavarësisë, dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të vendeve të tjera”, shtoi kreu i shtetit i Angolës.

Pas bisedimeve, të dy liderët dëshmuan nënshkrimin e një sërë dokumentesh bashkëpunimi dypalësh mbi nismën "Një brez, një rrugë", si edhe në ekonomi, tregti, bujqësi, zhvillimin e gjelbër dhe fusha të tjera.

Të dy palët publikuan edhe një deklaratë të përbashkët për krijimin e Partneritetit Strategjik Gjithëpërfshirës të Bashkëpunimit mes tyre.(Zhang Yan/Artan)