Kina i kërkon ShBA-së të ndalojë armatimin e Tajvanit dhe kontaktet ushtarake me ishullin
2024-03-15 20:40:10

Pekini i kërkoi të premten ShBA-së të ndalojë armatimin e Tajvanit të Kinës dhe çdo formë të shkëmbimeve zyrtare e kontakteve ushtarake me këtë rajon.

 Zhang Xiaogang, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës në konferencë shtypi(Foto: faqja elektronike e Ministrisë së Mbrojtjes)

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës Zhang Xiaogang u shpreh kështu në përgjigje të raporteve se propozimi i buxhetit i Shtëpisë së Bardhë për vitin financiar 2025 përfshinte edhe 100 milionë dollarë fonde për Tajvanin dhe se këshilltarët e Beretave të Gjelbra të Ushtrisë së ShBA-së kanë filluar vendosjen e përhershme në rajon.

Tajvani është i Kinës dhe çështja e Tajvanit është thelbi i interesave thelbësore të Kinës dhe vija e kuqe numër një që nuk duhet të kalohet ndërmjet Kinës e ShBA-së, theksoi Zhang.

Ai vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara kohët e fundit kanë lëshuar sinjale seriozisht të gabuara ndaj separatistëve që kërkojnë “pavarësinë e Tajvanit”, të cilat dëmtojnë paqen dhe qëndrueshmërinë në ngushticën e Tajvanit nëpërmjet veprimeve që përfshijnë shitjen e armëve dhe ndihmën ushtarake. Ai paralajmëroi se “kushdo që komploton dhe mbështet ‘pavarësinë e Tajvanit’ do të digjet duke luajtur me zjarrin dhe do të shijojë frytin e hidhur të veprimeve të veta.”

Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës ka mbajtur gjithmonë një shkallë të lartë vigjilence dhe do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës e do të mposhtë forcat për “pavarësinë e Tajvanit” dhe ndërhyrjen e huaj, shtoi zëdhënësi.(Artan)