Diplomacia kineze në 2024 dhe aktualiteti botëror
2024-03-15 10:33:44

Në një konferencë shtypi gjatë sesionit të dytë të Asamblesë së 14-të Kombëtare Popullore të Kinës, Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe ministër i Punëve të Jashtme i Kinës para gazetarëve vendës dhe të huaj, pasi foli për ecurinë e diplomacisë kineze gjatë vitit të kaluar, u ndal në raportet e saj me fuqitë e tjera si BE, SHBA, por dhe shpalosi propozimet e Pekinit zyrtar për zgjidhjen paqësore të konflikteve Rusi-Ukrainë dhe Izrael-Palestinë. Kryetari i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, ish zv.ministër i jashtëm Albert Rakipi, në intervistë për CMG ndan opinionet e tij për rolin e Kinës në zhvillimet diplomatike botërore.

Albert Rakipi në intervistë për CMG

Albert Rakipi në intervistë për CMG

CMG:  Në një konferencë shtypi të sesionit të dytë të Asamblesë së 14-të Kombëtare Popullore të Kinës, Wang Yi, ministër i Punëve të Jashtme i Kinës, u ndal në pikat e nxehta të globit dhe qëndrimin e Kinës ndaj tyre. Sipas tij në 20-vjetorin e krijimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe BE-së, shkëmbimet e dialogu dypalësh në të gjitha nivelet rifilluan plotësisht. Kina u ka ofruar trajtim pa viza shumë vendeve evropiane, gjë që ka lehtësuar shkëmbimet njerëzore dhe ekonomike e tregtare midis dy palëve. Komenti juaj për marrëdhëniet BE-Kinë

Albert Rakipi: Mendoj që ka një kontekst të ri politik që lidhet në dy vjetët e fundit  me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës për të cilën ka implikime dhe në marrëdhëniet ekonomike pare dhe ndërmjet fuqive të mëdha siç është Kina.  Duhet të mbajmë parasysh faktin që Kina pavarësisht se është një fuqi globale në rritje, është dhe  një anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së  dhe ka një peshë mjaft të rëndësishme në adresimin dhe propozimet që bën për zgjidhjen e krizave me të cilat përballet sot rendi botëror dhe siguria botërore.

Ministri i jashtëm kinez Wang Yi (Foto CMG)

Ministri i jashtëm kinez Wang Yi (Foto CMG)

Kur është fjala për marrëdhëniet me Bashkimin Europian ka një partneritet strategjik prej dy dekadash dhe një zhvillim pozitiv. Sigurisht që ekzistojnë një numër problemesh në marrëdhëniet ekonomike midis BE-së dhe Kinës, ka një disbalancë të madhe prej 400 miliardë eurosh në shkëmbimet tregtare, e cila është një ndër problemet. Por ndërkohë ekzistojnë dhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me hapësirat e tregut të investimeve në Kinë për kompanitë që mund të vijnë nga vendet e BE-së.

Sigurisht që heqja e vizave për qytetarët e Bashkimit Europian, investitorët dhe turistët është një hap mjaft i mire dhe pozitiv dhe do të ketë impaktin e vet pozitiv në dialogun dhe komunikimin mes tyre. Nuk është fjala vetëm në komunikimin politik dhe ekonomik, porn ë komunikimin midis shoqërive. Bota e sotme në një këndvështrim mund të shikohet në tre dimensione dhe një dimension i tretë janë marrëdhëniet transnacionale. Nga ana tjetër, pavarësisht nga fakti që marrëdhëniet ndërshtetërore bazohen te reciprociteti dhe është pak e vështirë për vendet e BE-së të heqin vizat në mënyrë të njëanëshme sepse është një situate që duhet menaxhuar dhe negociuar. Kjo lidhet besoj dhe me ekonominë e tregut sepse ne e dime që qeveria kineze ka kërkesa që lidhen  në mënyrë të posaçme me zbatimin e principeve të ekonomisë së tregut. Për shembull tekstilet kineze janë shumë të mira dhe ofrohen me çmime të mira dhe principet e ekonomisë së tregut duhet të ofrojnë hapësira të plota, por ndërkohë duhen mbajtur parasysh dhe balanca të tjera. Bashkimi Europian synon dhe ka kërkuar nga ana e vet një marrëdhënie më të balancuar se nuk është fjala vetëm për disbalancën prej 400 miliard eurosh, port ë ketë një përpjekje të balancuar dhe ka një progress.

Konflikti Izrael-Palestinë (Foto RTSH)

Konflikti Izrael-Palestinë (Foto RTSH)

Është një periudhë e vështirë përpara por e rëndësishme është kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis një fuqie si Kina dhe BE, por dhe Perëndimi në përgjithësi ëhtë e rëndësishme të aplikohet formula "agree to disagree", kur për çeshtje delikate të dy palët mund të kenë pikëpamje të ndryshme, por kjo nuk do të thotë që të mos bashkëpunojnë për çeshtje me interes të përbashkët.

CMG: Në një të kaluar të afërt është parë dhe nga politologët, analistët, ekspertët dhe diplomatët ajo që ministri jashtëm kinez në lidhje me marrëdhëniet me BE-në përmendi se ka ekzistuar një dokument politikash ku BE e konsideronte Kinën si një partner, por dhe si një konkurrent dhe rival institucional. Pavarësisht kësaj duket se po kalohet ky lloj rivaliteti dhe madje një lloj optimizmi në fjalën e kryediplomatit të Kinës. Shqipëria është pjesë e Europës, ju si i shikoni marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës në 2024?

Albert Rakipi: Mendoj se është një moment i mire historik sepse këtë vit mbushen 75 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit me Kinën. Është një moment i mire për të reflektuar nga qeveria shqiptare që duhet të aplikojë një qasje më kreative kur është fjala për marrëdhëniet ekonomike me Kinën.

Duhet mbajtur parasysh fakti që Kina është një fuqi globale dhe kemi një lloj trashëgimie pavarësisht se ka qenë një kontekst ideologjik, por janë krijuar disa marrëdhënie që kanë qenë mjaft të rëndësishme për ekonominë e Shqipërisë. Kjo mund të shërbejë dhe si një lloj baze, por nga ana tjetër e njejta formulë shërben edhe për një vend të vogël në marrëdhëniet ndërkombëtare si Shqipëria.

Një vend i vogël si Shqipëria duhet të aplikojë dhe të ndjekë modelin e vendeve të tjera anëtare të NATO-s, ose vende anëtare të Bashkimit Europian, vende relativisht të krahasueshme me ekonominë dhe përmasat e Shqipërisë në rajon, siç është Kroacia apo Sllovenia. Ndonjëherë politika për t’u shfaqur  “më katolik se Papa”  nuk ndihmon në ekonomi, nuk ndihmon në zhvillimin e marrëdhënieve. Pa kompromentuar principet dhe vlerat absolutisht, por siç bëjnë vendet anëtare shumë të konsoliduara dhe demokratike, që janë udhëheqëse të Europës, si Gjermania për shembull . Duhet të jemi më kreativë   dhe personalisht jam për një politikë 360 gradë në marrëdhëniet ndërkombëtare për Shqipërinë. Jemi një vend i vogël dhe duhet të shikojmë interesat.

CMG: Duhet të jetë pragmatiste

Albert Rakipi: Absolutisht po. Në politikën e jashtme çdo vend do të shikojë interesat e veta dhe ne nëqoftëse nuk arrijmë të zgjojmë interesat e vendeve të tjera, si përshembull një vend mik si Italia apo Greqia që janë mjaft të rëndësishme për marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë. Pra nëse nuk aplikojmë që të zgjojmë interesat e tyre, apo dhe vendeve të tjera më të mëdha, nuk do të jemi të suksesshëm.

Konflikti Rusi-Ukrainë (Foto CMG)

Konflikti Rusi-Ukrainë (Foto CMG)

Marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, sipas pikpamjes sime, janë në tranzicion aktualisht dhe  është e domosdoshme të ketë një lloj reflektimi. Nuk mund të jetë ideja që Italia, Greqia apo Gjermania ndihmojnë Shqipërinë, sepse marrëdhëniet tani duhen bazuar tek interesat shtetërore sepse përndryshe nuk funksionin. Ndaj edhe në këtë kontekst mendoj që ka interesa në planin ekonomik për të zhvilluar marrëdhëniet me Kinën me kurajo, duke patur modelet që përmenda.

CMG: Lidhur me krizën në Ukrainë, Wang Yi tha se për këtë çështje, Kina ka mbajtur gjithmonë një qëndrim objektiv e të drejtë dhe ka këmbëngulur në promovimin e paqes dhe të bisedimeve. Kreu i diplomacisë kineze shtoi se "katër domosdoshmëritë" e propozuara nga presidenti Xi Jinping janë parimet themelore të Kinës për promovimin e një zgjidhjeje politike të krizës në Ukrainë. Kina mbështet thirrjen në kohë të një konference ndërkombëtare paqeje të pranuar nga Rusia dhe Ukraina, me pjesëmarrje të barabartë nga të gjitha palët. Kina po kryen një diplomaci ndërmjetësuese lidhur me këtë koflikt, për zgjidhje paqësore. Si e vlerësoni rolin dhe qëndrimin e Kinës  në këtë konflikt, që për fat të keq ende vazhdon?

Albert Rakipi: Nuk ka asnjë dyshim që Kina për shkak të statusit të vet si një fuqi botërore sot dhe si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka një rol dhe një detyrë për të luajtur si të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Situata është delikate dhe kritike sepse kemi një anëtar të këtij Këshilli që ka ndërmarrë një agresion flagrant kundër një vendi sovran dhe është mjaft kritike. Kjo duhet të shtyjë të gjitha vendet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit, vende të rëndësishme kur bëhet fjalë për paqen dhe sigurinë globale.

Përpjekjet e Kinës janë vlerësuar nga BE dhe SHBA dhe siç kanë artikuluar dhe analistë të tjerë kanë krijuar një lloj debati se si do të shkohet drejt një zgjidhje paqësore që të ndalohet lufta dhe të shkohet drejt një marrëveshje paqeje, mjaft e rëndësishme në këtë situate. Askush nuk mendoi që në zemër të Europës do të kishm një luftë me tmerre të ngjashme me Luftën e Dytë Botërore.

CMG: U mendua se ishte një konflikt që do të shuhej në pak kohë

Albert Rakipi: Po pati parashikime të ndryshme që nuk përkuan me zhvillimet në terren. Pavarësisht nga dimensioni ushtarak i situatës ne po flasim për përpjekjet politike për dialog dhe në këtë kontekst mendoj se ka patur përpjekje për të mirëpritur ndihmesën që Kina mund të jape me avantazhet, fuqinë e saj por dhe me anëtarësinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pavarësisht se nuk duket ndonjë gatishmëri e madhe e palëve ndërluftuese të Ukrainës dhe Rusisë për të shkuar drejt një marrëveshje paqeje. Është një çeshtje mjaft e rëndësishme që duket se do të marrë një kohë më të gjatë në terren që palët të kuptojnë se duhet të shkojnë drejt tryezës së bisedimeve.

CMG: Kryediplomati kinez konfliktin Izrael-Palestinë e ka cilësuar “një tragjedi për njerëzimin dhe një turp për qytetërimin”. Ai ka deklaruar se “Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë urgjentisht për të zbatuar një armëpushim të menjëhershëm dhe për t'i dhënë fund luftës. Vetëm duke i dhënë drejtësi popullit palestinez dhe duke zbatuar plotësisht "zgjidhjen me dy shtete" mund të dalim plotësisht nga rrethi vicioz i konfliktit palestinezo-izraelit”.  Një vit më pare Kina ndërmjetësoi rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Iranit dhe Arabisë Saudite pas 7 vite tension. Në gjykimin tuaj a ka shanse të ndikojë diplomacia kineze në konfliktin izraelito-palestinez, ndonëse ende nuk shihet “dritë në fund të tunelit”?

Albert Rakipi: Në këndvështrimin e analizës për qëndrimin dhe demarshet e diplomacisë kineze mendoj që është shumë i rëndësishëm fakti që Kina mbështet një zgjidhje me formulën “ me dy shtete”. Kjo është shumë e rëndësishme sepse mbështetja vetëm për një palë nuk do i shkonte një fuqie të madhe. Pas sulmeve terroriste të Hamasit në tetor situata është ndërlikuar. Izraeli është një shtet demokratik, por duhet të respektojë rregullat dhe ligjet e luftës. Kjo është e pritshme dhe e detyrueshme, por kemi një situatë ekstreme humanitare dhe angazhimi i të gjitha fuqive i diplomacisë europiane, amerikane dhe kineze është i mirëpritur së pari për të shkuar drejt paqes dhe për të ndërtuar më vonë rrugën e një zgjidhje që duhet të jetë e qendrueshme.

Kjo zgjidhje e qendrueshme është e mbështetur nga SHBA-ja, Kina dhe BE-ja dhe është zgjidhja “ me dy shtete”, por është emergjente situata katastrofike humanitare atje dhe për fat të keq mosrespektimi i ligjeve të luftës.

Albert Rakipi Kryetar i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare (Foto CMG)

Albert Rakipi Kryetar i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare (Foto CMG)

CMG: Mendoni se diplomacitë ndërkombëtare gjenden të papërgatitura kur situata agravon dhe nuk ka një zgjidhje të menjëhershme, siç e duan civilët ?

Albert Rakipi: Kur është fjala për konfliktin midis Palestinës dhe Izraelit kjo nuk është një histori e re, Ndoshta ju keni të drejtë se edhe është toleruar në sensing që nuk ka patur një angazhim serioz, ndonëse disa përpjekje janë bërë por nuk është shkuar drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme. Gjithmonë zhvillimet kanë shkuar në rezultate ndonjëherë edhe ekstreme, të cilat nuk prodhojnë stabilitet dhe paqe. Ndaj komuniteti ndërkombëtar në njëfarë mënyre është fajtor, në mënyrë fuqitë e mëdha që kanë pushtet që të imponojnë dhe inkurajojnë palët për shkuar drejt zgjidhjeve të qendrueshme.

Flasim për politikën e jashtme të Kinës në një krizë shumë serioze siç është ajo e Lindjes së Mesme dhe mund të ketë implikime shumë serioze jo vetëm për sigurinë e këtij rajoni, por dhe për sigurinë ndërkombëtare. Është e rëndësishme që Kina, si një fuqi e madhe ka qëndrime që janë të afërta  dhe të njejta konkretisht për këtë krizë. Kur është fjala për fuqinë që projekton pushtetin është e aftë dhe ka kapacitete ta bëjë këtë dhe është e pakonkurrueshme, këto janë SHBA. Por nëse e shohim botën në tre aspekte janë fuqi të tjera si Bashkimi Europian, Kina, Japonia, të cilat kanë një bashkëpunim të madh.

Shpesh here flitet për një Luftë të re të Ftohtë midis Kinës dhe Perëndimit, ose Kinës dhe SHBA-së mirëpo shikojmë çfarë ishte Lufta e Ftohtë dhe është e qartë se kishte një ndërvarësi sa i përket armatimeve në fushën ushtarake midis Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së. Por tani jemi në një realitet të ri dhe ka një ndërvarësi shumë të madhe ekonomike midis fuqive të mëdha.Për shembull marrëdhëniet ekonomike midis BE-së dhe Kinës kanë gjysmë trilioni shkëmbime tregtare, ndërkohë mbi 300 mijë studentë kinezë studiojnë në SHBA dhe qindra mijëra të tjerë në vendet e BE-së. Pra nuk ka një ndarje të tillë dhe nuk mund të aplokohet e njejta formulë. Siç thatë ju, ka inkurajuar në raste të tjera të ngjashme ku diplomacia kineze përmes negociatave dhe ndërmjetësimeve ka dhënë rezultate duke respektuar formulën e njohur në diplomaci “agree to disagree”

Intervistoi Eda  Merepeza