Gati 10 000 produkte të reja shfaqen në Ekspozitën e Pajisjeve Elektroshtëpiake dhe Elektronike të Kinës
2024-03-15 13:03:50

Foto nga VCG

Të enjten u hap në Shangai Ekspozita e Pajisjeve Elektroshtëpiake dhe Elektronike e Kinës për vitin 2024, që është një nga tre ekspozitat më të mëdha për pajisjet elektroshtëpiake dhe pajisjet elektronike të konsumit në shkallë botërore. Ekspozita me temën “Teknologjia e zgjuar, krijimi dhe shijimi i jetës” ka tërhequr mbi 1000 ndërmarrje kryesore globale.

Përdorimi i teknologjisë së Inteligjences artificiale në fushat e pajisjeve elektroshtëpiake dhe të pajisjeve elektronike të konsumit është fokusi i ekspozitës sivjet. Markat e ndryshme kanë publikuar zgjidhjet e integruara mbi jetën e zgjuar, duke përfshirë fushat e pajisjeve të zgjuara elektroshtëpiake, të shëndetësisë së zgjuar, të transportit të zgjuar etj.

Foto nga VCG

Qysh nga 6-mujori i dytë i vitit të kaluar, tregu kinez i pajisjeve elektroshtëpiake ka shfaqur prirjen e rimëkëmbjes. Sipas statistikave, nga janari deri në shkurt të këtij viti, vëllimi i eksportit të pajisjeve elektromekanike të Kinës ishte 311 miliardë e 970 milionë dollarë amerikanë, duke u rritur 8.5 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Vëllimi i eksportit të pajisjeve elektroshtëpiake zuri 4.6 % të eksportit të përgjithshëm të pajisjeve elektromekanike dhe arriti në 14 miliardë e 350 milionë dollarë amerikanë, duke u rritur 20.8 %.

Në Ekspozitën e Pajisjeve Elektroshtëpiake dhe Elektronike të Kinës të këtij viti janë shfaqur gati 10 000 produkte të reja, duke përfshirë pajisjet elektroshtëpiake, si frigoriferët e makinat larëse, dhe pajisjet elektronike të  konsumit, si televizorët e celularët. (Çang Çuo)