MPJ: Filipinet duhet të ndalojnë përdorimin e çështjes së Detit të Kinës Jugore për të provokuar mosmarrëveshje
2024-03-15 12:56:35

Foto nga MPJ

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin u shpreh të enjten se pala filipinase duhet të ndalojë mashtrimin e bashkësisë ndërkombëtare, përdorimin e çështjes së Detit të Kinës Jugore për të provokuar mosmarrëveshje dhe shfrytëzimin e forcave të jashtme për të minuar paqen dhe qëndrueshmërinë në rajonin e Detit të Kinës Jugore.

Ai i bëri këto komente lidhur me deklaratat e presidentit të Filipineve Ferdinand Romualdez Marcos Jr. të bëra pas takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz. Sipas njoftimeve, presidenti Marcos u shpreh se pala filipinase nuk ka hedhur poshtë asnjë nga sugjerimet e Kinës, por nuk mund të pranojë që Kina ta kufizojë territorin e vet përgjatë së ashtuquajturës "vijë me dhjetë viza". Sipas Marcos-it, ky përcaktim nuk njihet nga asnjë vend dhe nga asnjë organizatë ndërkombëtare.

Lidhur me këtë, Wang Wenbin-i theksoi se Kina ishte e para që zbuloi, emërtoi, zhvilloi dhe përdori ishujt e Detit të Kinës Jugore e ujërat e lidhura me ta, dhe ishte e para që filloi dhe vazhdoi të ushtrojë në mënyrë paqësore e efektive sovranitetin dhe juridiksionin mbi ishujt e Detit të Kinës Jugore e ujërat e lidhura me ta. Pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria kineze, në përputhje me dispozitat e Deklaratës së Kajros dhe Proklamatës së Potsdamit, rimori ishujt e Detit të Kinës Jugore të pushtuara në mënyrë të paligjshme nga Japonia dhe rifilloi ushtrimin e sovranitetit mbi ta. Sovraniteti territorial dhe të drejtat e interesat detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore përfshijnë: Kina ka sovranitet mbi ishujt e Detit të Kinës Jugore, ishujt e Detit të Kinës Jugore kanë ujëra të brendshme, ujëra territoriale dhe zona të afërta, ishujt e Detit të Kinës Jugore kanë zona të veçanta ekonomike e shelfin kontinental dhe Kina ka të drejtë historike mbi detin e Kinës Jugore. Pozicioni i lartpërmendur i Kinës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe praktikën ndërkombëtare.

Zëdhënësi theksoi se, lidhur me problemin e Detit të Kinës Jugore, pala kineze ruan sovranitetin territorial dhe të drejtat detare të Kinës, dhe njëkohësisht është e gatshme që, bashkë me vendet e interesuara drejtpërdrejt, të vazhdojë trajtimin e mosmarrëveshjeve lidhur me problemet detare nëpërmjet bisedimeve mbi bazën e respektimit të historisë. Kina është e gatshme gjithashtu që, deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të bëjë përpjekje së bashku me vendet e interesuara drejtpërdrejt për ta menaxhuar situatën detare, për të zhvilluar aktivisht bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë dhe për të ruajtur paqen e qëndrueshmërinë në Detin e Kinës Jugore. (Çang Çuo)