Wang Yi do të vizitojë Zelandën e Re dhe Australinë
2024-03-15 11:51:05

Foto nga MPJ

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin bëri të ditur të enjten në një konferencë të rregullt për shtypin se, i ftuar nga zv.kryeministri e ministri i Jashtëm i Zelandës së Re Winston Peters dhe ministrja e Jashtme e Australisë Penny Wong, ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi do të bëjë vizita zyrtare në Zelandën e Re dhe Australi nga 17 më 21 mars. Gjithashtu, gjatë vizitës në Australi, kryediplomati kinez do të zhvillojë bashkë me homologen e vet australiane Dialogun e 7-të Diplomatik e Strategjik Kinë-Australi.

Wang Wenbin u shpreh se Kina është partnere e gjithanshme strategjike me Zelandën e Re dhe Australinë. Sivjet është 10-vjetori i krijimit të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet Kinës dhe Zelandës së Re e Australisë. Kjo do të jetë vizita e parë në shtatë vjet e një ministri të Jashtëm kinez në Zelandën e Re e Australi, duke shënuar nisjen e shkëmbimeve të nivelit të lartë ndërmjet Kinës e këtyre dy vendeve sivjet.

"Gjatë vizitës, Wang Yi do të zhvillojë shkëmbime të thella mendimesh me ministrat e jashtëm dhe udhëheqësit e të dy vendeve mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe problemet globale e rajonale me interes të përbashkët. Pala kineze mirëpret që, bashkë me të dy vendet, të realizojë unanimitetin e arritur nga të liderët, të forcojë kontaktet strategjike, të nxitë besimin e ndërsjellë dhe të thellojë shkëmbimet e bashkëpunimin, duke nxitur së bashku zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe Zelandës së Re e Australisë dhe duke dhënë kontribut për paqen, qëndrueshmërinë, zhvillimin dhe lulëzimin e botës,”tha zëdhënësi i diplomacisë kineze. (Çang Çuo)