Çikago, mbahet Dialogu Mediatik Global i organizuar nga CMG-ja
2024-03-14 20:40:02

Të mërkurën u zhvillua në Çikago të ShBA-së Dialogu Mediatik Global me temën “Kina në pranverë”, i organizuar nga Grupi Mediatik i Kinës në bashkëpunim me Këshillin e Përgjithshëm të Tregtisë të Kinës në ShBA.

Foto:CMG

Në aktivitet mbajtën videofjalime presidenti i CMG-së Shen Haixiong dhe ambasadori i Kinës në ShBA Xie Feng. Gati 100 të ftuar nga qarqet politike, të biznesit e akademike, si ish-ambasadori amerikan në Kinë Max Baucus, ish-guvenatori i shtetit të Kansasit Jeff Colyer, ish-kryebashkiakja e Çikagos Lori Lightfoot, ish-nënkryebashkiaku i këtij qyteti Samir Mayekar, ish-rektori i Institutit të Teknologjisë të Illinois-it Raj Echambadi etj., zhvilluan diskutime mbi investimet në Kinë dhe bashkëpunimin ndërmjet Kinës e ShBA-së.

Foto:CMG

Presidenti i CMG-së Shen Haixiong(Foto:CMG)

Në fjalimin e tij, z. Shen Haixiong u shpreh se vjet ekonomia kineze, me një rritje prej 5.2 %, ka kontribuuar për 1/3-tën e rritjes ekonomike globale. Sipas një sondazhi global të kryer nga CGTN-i, 93.1 % e të pyeturve e pranuan se ekonomia kineze ka elasticitet të fortë dhe hapësirë të madhe rritjeje. “Nuk duhen humbur mundësitë që ofron Kina. Kina e ardhshme do të jetë përsëri Kinë!”, tha Shen. Ai u zotua se CMG-ja, si grupi më i madh mediatik në botë, do të vijojë të shërbejë si urë për të krijuar kanale shkëmbimesh e kontaktesh midis dy popujve.

ambasadori i Kinës në ShBA Xie Feng(Foto:CMG)

Në fjalimin e tij, ambasadori Xie Feng u shpreh se sivjet është 45-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe ShBA-së. Me këtë rast, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu amerikan Joe Biden i kanë përcjellë njëri-tjetrit mesazh urimi, duke theksuar angazhimin për të stabilizuar dhe zhvilluar marrëdhëniet dypalëshe. Sipas përfaqësuesit diplomatik të Kinës në ShBA, pala kineze është e gatshme të bëjë përpjekje së bashku me palën amerikane, duke mbledhur energji pozitive për shkëmbime dhe bashkëpunim dhe duke krijuar pengesa kundër ndërhyrjeve, për zhvillimin e marrëdhënieve kino-amerikane në mënyrë të qëndrueshme, të shëndetshme e të vazhdueshme, në bazë të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë. Ai shprehu mirëpritjen që edhe më shumë ndërmarrje amerikane të investojnë në Kinë.

Kryekëshilltari i Konsullatës së Përgjithshme të Kinës në Çikago Zhao Jian(Foto:CMG)

Kryekëshilltari i Konsullatës së Përgjithshme të Kinës në Çikago Zhao Jian u shpreh se bashkëpunimi konkret në 45 vitet e kaluara u ka sjellë përfitime Kinës dhe ShBA-së. Sukseset e një pale janë rast e jo sfidë për palën tjetër, theksoi Zhao, duke shtuar që duhet të bëhet më shumë për të nxitur shkëmbimet njerëzore ndërmjet të dy vendeve.

Ish-ambasadori amerikan në Kinë, Max Baucus(Foto:CMG)

Ish-ambasadori amerikan në Kinë, Max Baucus, vuri në dukje se ShBA-ja dhe Kina duhet të respektojnë njëra-tjetrën, duke kërkuar rrugë dhe metoda për bashkëpunim e duke lënë mënjanë ndryshimet. Ai tha se, gjatë mandatit të tij në Kinë, ka dëshmuar rolin e pazëvendësueshëm të shkëmbimeve ndërmjet të rinjve në nxitjen e njohjes dhe të besimit të ndërsjellë midis dy vendeve. Max Baucus theksoi se ka pritshmëri të lartë për projektin e deklaruar nga presidenti kinez Xi Jinping në nëntorin e vitit të kaluar për të ftuar të rinj amerikanë të zhvillojnë shkëmbime në Kinë.

Ish-kryebashkiakja e Çikagos Lori Lightfoot(Foto:CMG)

Ish-kryebashkiakja e Çikagos Lori Lightfoot u shpreh se qyteti i saj prej kohësh i ka kushtuar rëndësi të madhe bashkëpunimit me palën kineze dhe shkëmbimet e vazhdueshme ekonomiko-tregtare dhe kulturore-njerëzore i kanë afruar të dy vendet. Koncepti i rëndësishëm i paraqitur nga presidenti kinez Xi Jinping për forcat e reja prodhuese cilësore do të forcojë më tej rritjen e zhvillimit cilësor të ekonomisë kineze, duke sjellë më shumë mundësi për qytetet amerikane si Çikago.

Foto:CMG

Foto:CMG

Në dialog, të ftuarit zhvilluan diskutime edhe mbi bashkëpunimin ekonomiko-tregtar kino-amerikan, shkëmbimet arsimore, mundësitë e tregut kinez, perspektivat e zhvillimit etj.

1586 media të më shumë se 70 vendeve e rajoneve të botës, si ShBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Spanja, Japonia, Koreja e Jugut etj., kanë njoftuar për këtë aktivitet.(Zhang Yan/Artan)