Gjermania jep dritën jeshile për të ofruar ndihma për Gazën
2024-03-14 11:18:18

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius (Foto ATSH)

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka dhënë miratimin që forcat ajrore të vendit të hedhin nga ajri ndihmat e nevojshme urgjente në Rripin e Gazës, duke iu bashkuar disa vendeve të tjera që kanë ofruar ndihma në territorin e rrethuar palestinez, bën të ditur “ATSH”.

Pistorius nënshkroi një urdhër përkatës për Forcat e Armatosura të Bundeswehr-it.

Kjo vjen pasi ushtria gjermane konfirmoi se po bëhen përgatitje për të hedhur ndihma në Gaza, duke përdorur aeroplanët transportues C-130 të stacionuar në Francë. Forcat Ajrore franceze tashmë kanë nisur të hedhin ndihma nga ajri.

Sipas organizatave të ndihmës, situata në Gaza, një brez bregdetar i ngushtë dhe me popullsi të dendur, po bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar. (Elona)