Kinë, shpallet plani i veprimit për nxitjen e përditësimit të pajisjeve dhe ndërrimin e mallrave të konsumit
2024-03-14 18:25:14

Ditët e fundit, Kina shpalli zyrtarisht planin e veprimit për rinovimin e pajisjeve dhe ndërrimin e mallrave të konsumit, pas vendimit të marrë në mbledhjen e katërt të Komisionit Qendror Financiar që u zhvillua më 23 shkurt.

Foto:CMG

Foto:CMG

Sipas planit të veprimit, lidhur me promovimin e industrializimit të ri, do të nxiten fuqimisht përditësimi i pajisjeve dhe ngritja e nivelit teknologjik në sektorë kyçë, si çeliku, metalet me ngjyra, industria kimike dhe petrokimike, materialet e ndërtimit, energjia elektrike, makineritë, aviacioni, prodhimi i anijeve, tekstilet dhe pajisjet elektronike.

Në drejtim të urbanizimit, do të përshpejtohet përditësimi i pajisjeve në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës urbane. Mes tyre, instalimi i ashensorëve për ndërtesat e vjetra, furnizimi me ujë, ngrohja, furnizimi me gaz, trajtimi i ujërave të zeza, pastrimi, siguria publike etj., janë në fokus.

Për sa i përket transportit, do të promovohen shtimi i autobusëve elektrikë dhe ndërrimi i baterive të autobusëve të vjetër elektrikë. Gjithashtu, do të nxitet përditësimi i makinerive të vjetra bujqësore me të reja.

Foto:CMG

Foto:CMG

Përveç pajisjeve të prodhimit industrial dhe bujqësor, në raundin e ri të përditësimit janë përfshirë edhe pajisjet arsimore, kulturore, turistike dhe mjekësore. Institucionet mjekësore inkurajohen të përshpejtojnë përditësimin dhe transformimin e pajisjeve mjekësore për imazherinë, terapinë radioaktive, diagnostikimin dhe trajtimin në distancë dhe robotët kirurgjikalë. Përveç kësaj, do të promovohet edhe përmirësimi i pajisjeve kulturore dhe turistike, si teleferikët, pajisjet e argëtimit dhe pajisjet e arteve skenike.

Sipas objektivave të propozuara në plan, deri në vitin 2027, investimet në pajisjet e industrisë, bujqësisë, ndërtimit, transportit, arsimit, turizmit kulturor, mjekësisë dhe fusha të tjera do të rriten me më shumë se 25 % në krahasim me nivelin e vitit 2023.

Foto:CMG

Foto:CMG

Lidhur me produktet e konsumit të përditshëm, qeveria kineze do të forcojë politikat mbështetëse, duke ndërmarrë veprime për të promovuar përditësimin e makinave në përmasë kombëtare. Do të mbështetet kompanitë e prodhimit, të shitjes dhe të riciklimit të pajisjeve elektroshtëpiake për të nxitur përditësimin, duke ofruar ulje çmimi e subvencione për konsumatorët që zëvendësojnë pajisjet e vjetra me të reja që kursejnë energjinë elektrike.(Zhang Yan/Artan)