Shkëmbimet Kinë-BE në një perspektive të re bashkëpunimi
2024-03-14 09:58:43

“Dy sesionet”, si veprimtaritë më të rëndësishme vjetore politike në Kinë, përkatësisht Komiteti i 14-të Kombëtar i Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez dhe Sesioni i legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore trajtuan dhe marrëdhëniet midis Kinës dhe BE-së. Kreu i diplomacisë kineze Wang Yi në konferencën për shtyp me mediat vendëse dhe të huaja e vuri theksin në pozicionimin e saktë të marrëdhënieve Kinë-Europë  përmes partneritetit, bashkëpunimit, pavarësisë dhe perspektivës së zhvillimit me përfitime të përbashkëta. Analisti Bardhi Sejdarasi në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës ndan opinionet e tij për zhvillimin e deritanishëm dhe perspektivën e afërt të këtyre marrëdhënieve.

Analisti Bardhi Sejdarasi në intervistë për CMG

Analisti Bardhi Sejdarasi në intervistë për CMG

CMG: Gjatë “Dy sesioneve” një vend të veçantë zunë dhe marrëdhëniet Kinë-BE në 20 vjetorin e partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe BE-së. Në konferencën për shtyp të ministrit të jashtëm kinez Wang Yi gjatë dy sesioneve, ai tha se  “Numri i trenave të mallrave Kinë-Evropë arriti në 17 000, duke lidhur 219 qytete të 25 vendeve europiane e duke formuar një zinxhir të sigurt dhe të qëndrueshëm të prodhimit dhe të furnizimit në një botë të trazuar”. Komenti juaj për këtë bashkëpunim.

Bardhi Sejdarasi: Kjo është një temë që tërheq vemendjen jo vetëm brenda Kinës, por edhe në mjedisin ndërkombëtar po diskutohen politikat ekonomike të saj. Dy sesionet janë ngjarja më e rëndësishme politike në Kinë, por janë dhe një dritare ku bota shikon ngjarjet në Kinë. Në fokus kanë qenë zhvillime të rëndësishme në politikën e brendshme të Kinës, por sidomos në politikën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Saktësisht kanë qenë pjesë e qëndrimit gjatë sesioneve të presidentit Xi Jinping, madje bota ka komentuar shumë çeshtje të rëndësishme të trajtuara në Dy sesionet. Presidenti Xi theksoi se inovacioni, përparimi dhe  edukimi  janë çelsi i forcave të reja prodhuese të Kinës.

Analisti Bardhi Sejdarasi

Analisti Bardhi Sejdarasi

Përse është e rëndësishme kjo? Po i referohem disa shifrave zyrtare të Kinës, por dhe të publikuara nga EUROSTAT, që lidhen me marrëdhënien ekonomike, jo vetëm në 20 vjetorin e marrëdhënieve Kinë-BE, por dhe në vijim.

Në vitin 2023 vëllimi tregtar i mallrave BE-Kinë ka qenë rreth 620 miliard euro, por ka patur një rënie prej 13,6 për qind. Eksportet e BE-së në Kinë kanë shënuar gjithashtu një rënie prej 2,2 për qind. Importet nga Kina kanë qenë me një rënie prej 17,7 për qind. Këto shifra tregojnë gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe pas vizitave reciproke të autoriteteve politike të BE-së, por dhe të Kinës, duke përmendur këtu ministrin e jashtëm të saj, kanë krijuar një shqetësim që lidhet me pozicionin që duhet të ketë ky shtet i fuqishëm, ekonomia e dytë në botë  në raport me Europën dhe shtetet e saj.

Konferenca për shtyp e ministrit të jashtëm kinez (Foto CMG)

Konferenca për shtyp e ministrit të jashtëm kinez (Foto CMG)

Pasojat e këtyre rënieve kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe tek kompanitë vendëse. Po citoj një studim të fundit të  vitit 2023, që identifikon se çfarë dëmi i është bërë kompanive kineze në këtë rast. Ky mosbashkëpunim në nivelet e mëparshme ose rënia e bashkëpunimit ka bërë që 72 për qind e kompanive kineze të ndjehen të ndikuara negativisht nga këto marrëdhënie. 37 për qind e tyre kanë përmendur në studim pasojat që kanë  krijuar mosmarrëveshjet në tregtinë midis dy vendeve, ndërkohë që 36 nga 100 kompani u ndjenë të pafavorizuara në konkurrencën midis Kinës dhe BE-së. 26 në 100 kompani raportuan   kufizime në investimet e tyre në vendet e BE-së. Vetë autoritetet kineze kanë arritur të identifikojnë se cilat janë shqetësimet që ngrihen përveç këtyre shifrave.

CMG: Në punimet e Asamblesë Kombëtare Popullore të gjitha strukturat duke filluar nga baza deri në nivele të larta përfaqësuesit e zonave të ndryshme që raportojnë problemet, po ashtu dhe në institucionet përkatëse. Në këtë formë raportojnë problemet edhe kompanitë shtetërore apo private, sektorët e industrisë. Të gjitha këto arritje, sugjerime apo kritike diskutohen gjatë Dy Sesioneve.

Bardhi Sejdarasi: E ndoqa me vemendje konferencën e shtypit të ministrit të jashtëm kinez dhe veçova pjesën me interes ekonomik. Më bënë përshtypje të dhënat që vinin nga Instituti Mercator me bazë në Berlin si dhe nga Rodin Group me bazë në Nju Jork, të cilët mbikqyrin dhe analizojnë treguesit e ekonomisë kineze. Këto dy institute profesionale shikojnë me imtësi se çfarë ndodh me sondazhet apo treguesit. Vura re në komentet e këtyre dy instituteve, por dhe nga zyrtarë të lartë të qeverisë kineze sa i përket investimeve të huaja në Europë një rënie prej 8.7 miliard eurosh nga njeri vit tek tjetri. Ky ishte një shqetësim për të dy palët sepse investimet dypalëshe prekin shumë sektorë të ekonomisë, ndërsa mungesa e investimeve prek në tërësi ekonominë.

Ministri i jashtëm kinez Wang Yi (Foto Xinhua)

Ministri i jashtëm kinez Wang Yi (Foto Xinhua)

Gjithashtu vura re se autoritetet kineze në këto dy sesione kishin ofruar disa zgjidhje. Në Dy Sesione u tha se të gjitha kufizimet të hyrjeve në treg të investimeve të huaja do të hiqen. Kufizimi i aksesit në treg për shërbimet e telekomunikacionit dhe shëndetit do të reduktohen. Duke u nisur nga kjo situate dhe të dhënat e institucioneve prestigjoze kanë bërë që Kina të ketë një qasje të re përsa i përket investimeve të huaja në vend, por dhe nga Kina drejt BE-së.

Lidhur me Gjermaninë kam disa shifra interesante që lidhen me investime kolosale kineze në këtë vend. Mendoj se Dy Sesionet dhe analiza që bëhet në to i jep rrugëzgjidhje dhe horizonte të reja që lidhen me një bashkëpunim, i cili  pavarësisht se ka patur ulje dhe ngritje tashmë ka shtruar disa shina të reja, që do të ndikojnë shumë në të ardhmen sa i përket investimeve kineze në Europë e më gjerë, por dhe investimeve të BE-së në Kinë.

Në  këtë drejtim ndikon dhe heqja e vizave dhe më 14 mars hiqen vizat nga Kina për një numër të madh shtetesh europiane si Zvicra, Finlanda, Hungaria, Austria, Belgjika dhe Luksemburgu  

CMG: Ne si shqiptarë e dime shumë mire sa  vështirë është të kesh sistem vizash me vendet e tjera, sepse këtë e kanë provuar qytetarët shqiptarë por dhe bizneset. Kina u ka ofruar trajtim pa viza shumë vendeve evropiane, gjë që ka lehtësuar shkëmbimet njerëzore dhe ekonomike e tregtare midis dy palëve. Turizmi është një tjetër sektor me rëndësi në shkëmbimet midis Europës dhe Kinës, që bazuar në heqjen apo lehtësimin e vizave pritet të ndikojë në rritjen e tyre. Një lajm i fundit ishte se biznesmenët hungarezë e kanë mirëpritur heqjen e vizave nga Kina sepse u lehtësohen shkëmbimet. A besoni se do të ndikojë lehtësimi i vizave për shtimin e shkëmbimeve me Kinën?

Punimet e Dy Sesioneve (Foto CMG)

Punimet e Dy Sesioneve (Foto CMG)

Bardhi Sejdarasi: Pas konferencës për shtyp të ministrit të jashtëm të Kinës ishin disa ambasadorë që kanë patur një takim me autoritetet kineze dhe lexova opinionet e tyre. Janë shumë shtete përveç Hungarisë, si Bullgaria dhe Letonia që vlerësonin këtë proces të ri të hapjes. Disa vite më pare ka qenë një dokument politik i BE-së e etiketoi Kinën si partner, konkurrent dhe rivale sistemike. Ideja ishte që vendet e BE-së duhet ta merrnin parasysh këtë marrëdhënie që Unioni kishte me Kinën. Por vizitat e liderëve të BE-së Borrel, Von der Leyen e të tjerëve e hoqën këtë mjegullnajë të madhe dhe kjo situate është tejkaluar. Sidomos lehtësitë që krijohen në fushën e turizmit me heqjen e vizave veçanërisht në fushën tregtare sepse  më shumë se një vizitë turistike me rëndësi është një vizitë tregtare.

Brenda këtij muaji do të kemi një sesion në Shqipëri që lidhet me panairet më të mëdha në botë, ku një pjesë e madhe e bizneseve shqiptare që kanë dëshirë të marrin informacion nga Panairi i Kantonit do të jenë pjesë e një bashkëbisedimi virtual midis rreth 60 kompanive shqiptare, të cilat kërkojnë partnerë në Kinë.

CMG: E keni fjalën për sezonin pranveror të Panairit të Kantonit?

Bardhi Sejdarasi: Pikërisht do të bëhet një komunikim tani që është online me kompanitë respektive që tregon interesin e madh që kanë jo thjesht shtetet e BE-së për Kinën, por dhe shtete si Shqipëria dhe bizneset në vendin tone. Ato lehtësi që përmendëm janë në favor të të gjithë aktorëve që duan të zhvillojnë biznesin e tyre.

CMG: Bizneset shqiptare në fakt nuk kanë patur vështirësi për të kryer shkëmbime  me Kinën kur ekzistonte regjimi i vizave, sepse ambasada kineze u ka ofruar lehtësi atyre edhe për pjesëmarrje në panaire të ndryshme. Po ashtu dhe bizneseve kineze u është ofruar lehtësi për shkëmbime me vendin tone. Gjithësesi heqja dhe lehtësimi i vizave zgjeron mundësitë e shkëmbimeve edhe të bizneseve të mesme apo të vogla.

Bardhi Sejdarasi: Është një rregull i njohur i takimeve “Be to be”, për të cilat të dyja ambasadat e vendeve tona punojnë për afrimin dhe krijimin e kontakteve midis bizneseve dypalëshe. Edhe veprimtaria që do të zhvillohet në fund të marsit është pozitive për shkëmbimet dypalëshe se jo të gjitha bizneset e mëdha apo të vogla kanë informacion për inovacionet. Bota po shkon drejt inovacionit po ashtu dhe ne. Kina kërkon të stimulojë këto element se ekonomitë për shkak të konkurrencës së madhe të tyre të kenë mundësi të nxjerrin element që i japin hov zhvillimit të ekonomisë së vendeve të tyre. Në Dy sesionet e Kinës u theksua që t’i jepet rëndësi inovacionit dhe profesionalizmit. Në këtë mënyrë të gjitha shtetet krijojnë elementin e konkurrueshmërisë që është i nevojshëm në zhvillimin e ekonomisë.

Vëllimi i mallrave të transportuara me trena Kinë-Europë (Foto CMG)

Vëllimi i mallrave të transportuara me trena Kinë-Europë (Foto CMG)

Gjykoj se elementët që dolën nga Dy sesionet dhe veçanërisht realizimi në praktikë i tyre që duket se ka filluar në Kinë do të nxisin shumë parametrat e vendosur dhe bota, Europa por dhe Shqipëria do të kenë më shumë mundësi të marrin informacion dhe të kenë më shumë akses në tregun kinez, duke përfituar nga përvoja kineze.

CMG: Interesat e përbashkëta midis Kinës dhe Europës tha ministri i jashtëm kinez në konferencë për shtyp, janë shumë më të mëdha se dallimet mes tyre. Sipas tij,  pozicionimi i saktë i marrëdhënieve Kinë-Europë duhet të jetë ai i partneritetit, prirja kryesore duhet të jetë bashkëpunimi, vlera kryesore duhet të jetë pavarësia dhe perspektiva e zhvillimit duhet të jenë përfitimet e përbashkëta. Si e shihni këtë bashkëpunim gjatë këtij viti, referuar dhe shifrave pozitive të shkëmbimeve tregtare gjatë muajve të pare të vitit?

Bardhi Sejdarasi: Po i referohem një konference më 23 shkurt të këtij viti të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Kinës por dhe paraqitjen e Raportit të Punës së qeverisë kineze nga kryeministri më 5 mars, duke paraqitur objektivat e zhvillimit të vendit për vitin 2024. Jo vetëm strukturat e shtetit kinez, por dhe ata që e ndjekin nga afër punën e qeverisë shohin me vemendje linjën ku do të shkojë. Perspektiva duket e mire sepse Kina dhe Europa përpiqen të luajnë një rol pozitiv dhe konstruktiv dhe po punojnë jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por për të promovuar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin. Kryeministri kinez theksoi se lidhjet midis Kinës dhe BE-së janë përplotësuese dhe kjo nuk ka vetëm kuptim diplomatik, por dhe në marrëdhëniet dypalëshe.

Ky plan i ri, ky angazhim do të fillojë të eleminojë ato shifrat që përmenda më pare të EUROSTAT-it dhe institucioneve të njohura ndërkombëtare për të patur një qëndrim të përbashkët për të shkuar në një rrugë të përbashkët. “Një brez, një rrugë” është një iniciativë e mire që përkrahet, por dhe angazhimi për të rritur investimet, duke hequr një sërë kufizimesh do të ndikojë shumë që shtetet europiane si Gjermania, Hungaria, por dhe shtete jashtë BE-së të kenë mundësi të aksesojnë ekonominë kineze, të përfitojnë nga ekonomia e dytë botërore dhe të përfitojnë dhe në nivel ekonomik kombëtar. E shoh si një rrugë të hapur, një perspektivë të mirë.

Intervistoi Eda Merepeza