Aeroplanët kinezë "C919" dhe "ARJ21" kryejnë turneun demonstrues të fluturimit në pesë vende të Azisë Juglindore
2024-03-14 18:34:13

Foto: Një avion "C919" ngrihet në fluturim nga Aeroporti Ndërkombëtar "Hongqiao" i Shangait, 8 mars 2024. /CFP 

Një shfaqje statike dhe një fluturim demonstrues i aeroplanëve komercialë "C919" dhe "ARJ21" të prodhuar nga Kina u bë të mërkurën në aeroportin "Sultan Abdul Aziz Shah" në shtetin Selangor të Malajzisë.

Kjo shënon përfundimin e turneut të fluturimit demonstrues në pesë vende të Azisë Juglindore të "C919" dhe "ARJ21", pas vizitave në Vietnam, Laos, Kamboxhia dhe Indonezi. 

Në veprimtari morën pjesë ministri malajzian i Transportit Anthony Loke Siew Fook, zëvendësministri i Investimeve, Tregtisë e Industrisë Liew Chin Tong dhe përfaqësues nga institucionet vendore të nxitjes së investimeve dhe sektorët e aviacionit. 

Gjatë fluturimeve demonstruese dhe shfaqjeve statike, prodhuesja e aeroplanit, Korporata e Aeroplanëve Komercialë e Kinës (COMAC) kreu një seri veprimtarish promovimi të produkteve për klientët potencialë. 

Foto: Një avion "ARJ21" në Shfaqjen Ajrore të Singaporit, 24 shkurt 2024. /CFP

COMAC vuri në dukje që qëllimi i turneut ishte të vlerësonte përshtatshmërinë e aeroplanit ndaj aeroporteve dhe linjave të ndryshme në pesë vendet, të shqyrtonte përshtatshmërinë e pajisjeve të shërbimit tokësor të aeroporteve, të testonte zbatueshmërinë e procedurave të posaçme të fluturimit dhe të analizonte mundësinë për funksionim të sukseshëm nga ana ekonomike të këtyre linjave. Fluturimet demonstruese do të hedhin themelet për zhvillimin e ardhshëm të tregut në Azinë Juglindore. 

Aeroplani rajonal "ARJ21" është projektuar për të mbajtur 78-97 udhëtarë, me një rreze fluturimi prej 2 225-3 700 kilometrash, ndërsa "C919" ka 158-192 vende, një rreze 4 075 - 5 555 kilometra. 

Foto:VCG

Foto: Një avion "C919" në fluturim në aeroportin Dongying, provincë Shandong, janar 2024/CFP

"C919" e kreu fluturimin e parë komercial në 28 maj 2023. Që atëherë, pesë aeroplanë të këtij tipi i janë dorëzuar kompanisë së parë blerëse të tij, "China Eastern Airlines", që kryejnë fluturime vajtje-ardhje Shangai-Pekin dhe Shanghai-Chengdu, duke  transportuar me siguri mbi 140 000 udhëtarë deri tani, sipas COMAC-ut.(Artan)