Kryediplomati europian denoncon përdorimin e urisë si armë lufte në Gaza
2024-03-14 11:01:48

Josep Borrell (Foto RTSH)

Kreu i diplomacisë europiane Josep Borrell, denoncoi përdorimin e urisë si një armë lufte në Rripin e Gazës gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. “Kjo krizë humanitare nuk është fatkeqësi natyrore, nuk është përmbytje, as tërmet. Është shkaktuar nga njeriu”,- tha ai, duke kërkuar që më shumë ndihma humanitare të lejohet në enklavën palestineze, ku operacionet ushtarake izraelite kanë vrarë të paktën 31.184 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit, citon “RTSH”.

“Kur shqyrtojmë rrugë alternative për të ndihmuar, nga deti ose nga ajri, duhet të kujtojmë se duhet ta bëjmë këtë sepse rrugët tokësore zakonisht mbyllen artificialisht. Dhe privimi i popullatës nga ushqimi përdoret si një armë lufte. Meqenëse e dënojmë këtë në Ukrainë, duhet të përdorim të njëjtat fjalë për atë që po ndodh në Gaza”,- këmbënguli ai, pa përmendur emrin e Izraelit.

Ndihma humanitare, e cila i nënshtrohet kontrollit dhe miratimit të Izraelit, arrin në Rripin e Gazës me 2.4 milionë banorë, ku Kombet e Bashkuara paralajmërojnë për një rrezik në rritje të urisë së përhapur, të cilën tani e konsiderojnë pothuajse të pashmangshme.

Situata është jashtëzakonisht e rëndë në pjesën veriore të enklavës, ku shpërndarja e ndihmave për rreth 300.000 njerëz është praktikisht e pamundur për shkak të luftimeve, shkatërrimeve dhe plaçkitjeve.

Lufta në Rripin e Gazës shpërtheu pasi krahu ushtarak i Hamasit sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz, kryesisht civilë. (Elona)