Eksportet e automjeteve të Kinës u rritën mbi 30 % në dy muajt e parë të vitit
2024-03-13 12:00:22

Foto nga VCG

Eksportet e makinave kineze u rritën me 30.5 për qind në dy muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme, duke arritur në 822 000 njësi, treguan të hënën të dhënat nga Shoqata Kineze e Prodhuesve të Automjeteve.

Eksportet e automjeteve me energji të re u shtuan 7.5 për qind në krahasim me dy muajt e parë të vitit të kaluar, ndërsa të automjeteve tradicionale me lëndë djegëse fosile 39 për qind, duke arritur përkatësisht në 182 000 e 640 000 njësi.

Ekspertët nga Shoqata Kineze e Prodhuesve të Automjeteve thanë se industria kineze e makinave po tregon një forcë të madhe konkurruese në tregun global dhe ka të ngjarë të ruajë hovin e mbarë të zhvillimit, në saje të inovacionit teknologjik, kontrollit të kostos dhe zinxhirit industrial që ka arritur tashmë pjekurinë.

Sektori kinez i automjeteve me energji të re është krijuar nga zeroja, duke arritur në fazën e tanishme të zhvillimit pas pak më shumë se dhjetë vjetëve. Vetëm vjet, vëllimi i prodhimit dhe i shitjes të këtyre automjeteve i tejkaloi 9 milionët, duke zënë më shumë se 60 për qind të vëllimit të përgjithshëm global, sipas raportit të punës së qeverisë kineze të këtij viti. (Çang Çuo)